Asociacioni i Komunave të Kosovës ka bërë të ditur se në takimin e radhës me Qeverinë do të kërkoj lehtësira për qytetarët të cilët janë vaksinuar me vaksinën kundër COVID-19.
Kështu ka deklaruar për Telegrafin, kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi.
“Në takimet që kam pasur me kryesuesit e kolegjiumeve të shëndetësisë dhe inspektoratit që veprojnë në kuadër të AKK dhe në konsultime me disa kryetar, të cilët e kanë përkrahur këtë ide, ne si AKK mendojmë që në takimin e radhës me nivelin qendror do kërkojmë lehtësira në qasje në jetën publike dhe në gastronomi për qytetarët që janë vaksinuar. Në ditët në vijim do e diskutojmë edhe me këshillin e kryetarëve”, ka thënë Ibrahimi.
Ai ka shtuar se nëse ka vaksina të mjaftueshme, dhe fillon procesi pa pengesa, me numër të mjaftueshëm të personelit shëndetësor, mendojmë që më mirë është që të ketë lehtësira për qytetarët që janë vaksinuar.
“ Me këtë edhe inkurajohet vaksinimi por edhe ekonomia fiton. Kjo mendojmë që ky veprim të fillojë nga 13 shtatori. P.sh, Gastronomisë t’i lejohet puna edhe brenda lokaleve për personat e vaksinuar por duke respektuar protokollet kundër COVID-19”, u shpreh Ibrahimi.
Ai shtoi se gjithashtu do të kërkojnë që masat e “orës policore” të mos zbatohen për qytetarët që janë vaksinuar.
“Kjo do të inkurajonte vaksinimin e popullatës por edhe zhvillimin ekonomik lokal që është shumë i rëndësishëm”, u shpreh ai. /Telegrafi/