Telegrafi

AKK nuk gjen parregullsi në laboratorët privat që kryejnë testimet serologjike

Përfaqësues të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës kanë thënë sot se nuk kanë gjetur ndonjë parregullsi në laboratorët privatë të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë për testimet e virusit SARS CoV 2.

Në konferencën për media lidhur me monitorimin e çmimeve për testimet për virusin SARS-Cov-2, Muhamet Krasniqi nga AKK theksoi se nga 118 laboratorë të licencuar, bazuar në informatat që kanë nuk kanë arritur të identifikojnë ndonjë sjellje e cila ngre dyshim për fiksim të këtyre shërbimeve apo bashkërendim të aktiviteteve mes operatorëve që mund të bien ndesh me Ligjin e konkurrencës.

“Është një treg që po funksionon mirë, së paku deri tash, pra një treg i liberalizuar”, tha Krasniqi.

Në këtë konferencë u tha se AKK nuk ka pranuar asnjë ankesë nga qytetarët për ndonjë parregullsi për laboratorët privat që kryejnë testime për COVID-19. /Telegrafi/