Site icon Telegrafi

AKK: MASHTI vazhdon subvencionimin e teksteve shkollore, drejtorët e arsimit të shqetësuar për vonesat në shpërndarje

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) do të vazhdojë me subvencionimin e teksteve shkollore për nxënësit e Kosovës.

Kështu bëri të ditur për Telegrafin, kryetari i Asociacioni te Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi. Ai tha se kjo gjë u bë e ditur në takimin e kolegjiumit të arsimit në kuadër të Asociacionit së bashku me ministren Arbërie Nagavci.

Megjithatë, sipas Ibrahimit drejtorët komunal të arsimit kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me vonesat e mundshme në shpërndarjen e librave shkollorë, duke paralajmëruar se nxënësit mund të mos i kenë të gjitha tekstet e nevojshme më 1 shtator, kur fillon viti i ri shkollor.

“Drejtorët komunalë të arsimit janë të shqetësuar se me 1 shtator nxënësit nuk do të kenë të gjitha librat shkollorë, bazuar në kohën e shkurtër që mbetet deri në fillimin e vitit të ri shkollor dhe praktikën e vitit të kaluar,” ka deklaruar Ibrahimi.

Në këtë kontekst, Ibrahimi tregoi se drejtorët komunalë kanë propozuar që procesi i shpërndarjes së teksteve mësimore të organizohet duke i dërguar ato drejtpërdrejt nëpër shkolla.

Sipas tyre, MASHTI i posedon të gjitha informatat për numrin e nxënësve në secilën shkollë, çka do të mundësonte një proces më efikas dhe të saktë të shpërndarjes.

“Përkundër vonesave në procedura nga ministria, drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA) janë të gatshëm ta ndihmojnë procesin brenda kompetencave të tyre, vetëm që nxënësit të kenë të gjitha tekstet shkollore në ditën e parë të vitit të ri shkollor,” theksoi kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi.

Ky njoftim vjen në një kohë kur përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor janë në fazën finale, dhe përpjekjet për të siguruar që çdo nxënës të ketë qasje në tekstet e nevojshme janë thelbësore për një fillim të suksesshëm të mësimit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version