Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka konfirmuar njoftimin e lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më datën 21.10.2021 lidhur me arrestimin e personit M.K.
Në njoftimin për media thuhet se “AKI, në kuadër të kompetencave të saj sipas Ligjit Nr. 03/L-063, Nenin 2 dhe Nenin 10, ka përfunduar procedurat e brendshme ndaj personit M.K dhe në përputhje me Nenin 25.2 të Ligjit për AKI ka njoftuar Prokurorin publik kompetent”.
“Pavarësisht se nga kush cenohet siguria e Republikës së Kosovës, AKI mbetet e përkushtuar në zbatimin e mandatit dhe kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore, si dhe në përmbushjen e detyrave në shërbim të sigurisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar sot se ka ndaluar një ish-punonjës të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili dyshohet se ka zbuluar informacione të klasifikuara dhe ka rrezikuar sigurinë e shtetit.
Sipas njoftimit, Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, me aktvendim të Prokurorit të shtetit ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personin me inicialet M.K. /Telegrafi/