Site icon Telegrafi

Ajshe Useini thotë se dashuria për profesionin sjell lumturi

Gjithmonë e qeshur dhe pozitive jashtë skene, ndërsa në dërrasat e teatrit një aktore e jashtëzakonshme e cila bie në sy me aktrimin e saj profesional. Është kjo Ajshe Useini, aktorja nga Gostivari e cila flet për Telegrafin për monokomedinë “Ballkanibalizëm” ku vetë ajo është protagoniste!

Intervistoi: Valon Osmani

Monokomedia “Ballkanibalizëm” njoftoi publikun e gjërë me emrin tënd, si një aktore e re dhe ambicioze, por na trego më tepër kush është Ajshja dhe si vendose të bëhesh aktore?
Unë jam Ajshe Useini nga Gostivari. Jam aktore e diplomuar ne Universitetin e Tetovës, tashmë edhe aktore e punësuar në Teatrin e Gostivarit. Aktrimi më ka tërhequr shumë prej e vogël, dhe spontanisht vendosa që ta studioj. Ndoshta mund të jetë edhe nga fakti se gjithmonë e kam dashur lirinë dhe pamvarsinë shpirtërore, gjë që ky profesion ta ofron. “Ballkanibalizëm” eshte shfaqje qe unë e kam shumë për zemër, dhe e kam punuar me shumë dashuri, mbase kjo është arsyeja se pse publiku e priti aq mirë.

Pse monokomedia quhet “Ballkanibalizëm” dhe kush janë bashkëpunëtorët e këtij projekti?
Të gjithë ne i kemi të njohura fjalët Ballkan dhe kanibalizëm, kështu që besoj se është e qartë se pse ka një titull të tillë. Ne hamë njëri tjetrin me shekuj duke shtypur të mirat dhe vlerat që kemi! Ballkanibalizmi është një monodramë e cila e bën publikun të qesh, të imagjinoi dhe të ndryshoi. Shfaqja ka tre segmente jashtëzakonisht të rëndësishme si: të qeshemi se si jemi, të mendohemi pse jemi të tillë, a mund ta ndryshojmë atë që nuk vlen dhe t’i ruajmë vlerat që kemi? Regjisori i shfaqjes është Sabedin Selmani, tekstshkruesi poashtu Sabedin Selmani ndërsa për muzikën është përkujdesur Teuta Halimi.

Sa është e vështirë të jesh e vetme në skenë në një zhanër si monokomedia, aq më tepër të argëtosh publikun shqiptarë?
Në fillim mendova se është e veshtirë të jesh vetëm në skenë, por gjatë punës e kuptova se unë nuk isha vetëm në skenë! Unë vetëm rrëfej disa fakte të vërteta mbi Ballkanin, problemet tona, hallet tona, normalisht me nuanca të humorit dhe sarkazmës, por me mua bashkëndjen edhe publiku kështu që nuk jam vetëm në skenë, ndoshta kjo menyrë e rrëfimit nëpërmjet humorit e bën publikun të qeshin dhe të vetëdijësohen njëkohësisht. Këtë e bëri të mundshme edhe regjisori i shfaqjes Sabedin Selmani me punën disa vjeçare mbi këtë shfaqje, dhe mënyra e qartësimit të konceptit të tij tek unë, ndikoi që unë ta kem të qartë dhe ta intepretoj me siguri në vete çdo pjesë të shfaqjes.

Perveç qytetit të Tetovës kjo monokomedi a do të jepet dhe në qytete të tjera?
Patjetër që po! Më gëzon shumë fakti që mediat dhe njerëzit kanë interesim për ta parë shfaqjen edhe nëpër qytete të tjera. Kjo shfaqje është e ndërtuar në mënyrë që të mund të jepet kudo, nëpër kafene, teatro, në rrugë, gjithandej dhe patjetër që do shfaqet edhe nëpër qytete të tjera.

Ti je dhe aktore në Teatrin Kombëtarë të Gostivarit, si qëndron me angazhimet në teatër, po punoni në diçka të re?
U bë një muaj si aktore e punësuar në Teatrin e Gostivarit dhe jam shumë e lumtur për hapjen e tij. Salla e Teatrit për momentin nuk ka kushte për punë por së shpejti do t’i ketë. Gostivarin së shpejti e presin disa shfaqje të reja, me regjisore dhe ekip shumë të mirë!

Cili është mesazhi yt për ata që duan të merren me aktrim?
Vetëm dashuria e pastër ndaj këtij profesioni mund të të bëj të lumtur! Unë besoj në thënjen “Punoni në një profesion që ju kënaq kur e ushtroni dhe ju nuk do të duhet të punoni as edhe një ditë në jetën tuaj”…

Exit mobile version