Site icon Telegrafi

Ajri i ndotur në Prishtinë shkaktar i sëmundjeve të shumta

Muajt e fundit është vërejtur se ndotja e ajrit në Prishtinë ka kaluar parametrat e lejuar. Nga monitorimi i fundit i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mbrojtjen e Mjedisit përmes “Indeksit të cilësisë së ajrit” Prishtina klasifikohet në kategorinë e tretë të ndotjes së ajrit, saktësisht në parametrat 151 deri në 200, me vlerën 157 të PM2.5, që paraqet nivelin e cilësisë së ajrit si të pashëndetshme.

Antigona Ukaj-Haxha, specialist i shëndetit publik në kuadër të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, tha se efektet akute dhe kronike të koncentrimit të ndotësve të ajrit që ndikon shumë në shëndetin e qytetarëve.

“Efektet akute dhe kronike të koncentrimit të ndotësve në ajër ndikon shumë në shëndetin e qytetarëve. Sa i përket grupeve vorunabile janë më të theksuara moshat e vogla, fëmijët, gratë shtatzëna, moshat e shtyra, të sëmurët kronik. Në vendet të cilat kemi matje të koncentrimeve të tejkalimeve të koncentrimeve të thërmijave, sidomos për moshat e vogla, fëmijët e vegjël koncentrimet apo atakët asmatike janë shumë evidente dhe mbërrijnë në vlerën 3 për qind krahasuar me një vend ekologjik apo në një vend që nuk ka një koncentrim të ajrit, siç e ka këto ditë Prishtina apo këto muaj Prishtina që do të shkonte deri në 03 për qind”, tha Ukaj-Haxha, për KosovaPress.

Sipas specialistes së shëndetit publik, ajri i ndotur nuk atakon vetëm fëmijët, por e rrit edhe numrin e pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet respiratore.

“Ndotja e ajrit nuk atakon vetëm fëmijët dhe sulmet e tyre asmatike por kjo vjen në evidencën e pranimeve spitalore pra e rritë numrin e pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare, pranime spitalore nga sëmundjet respiratore, vizita të shpeshta në mjekësit familjare, pra siç e dimë të gjithë janë shtuar vizitat në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare me bronhite, me sëmundje koronare, me sëmundje obstruktive të sistemit respirator trupet e poshtme respiratore dhe një varg sëmundjesh të tjera. Veç të traktit respirator dhe të traktit kardiovaskular ajër ndotja ndikon edhe në sistemin nervor dhe sistemin periferik, ndikon edhe në sistemin reproduktiv, prandaj jemi të gjithë të atakuar nga koncentrimi të cilat i kemi”, tha ajo.

Ndërsa, Seniha Bajraktari, zyrtare e lartë për mjedis në Komunën e Prishtinës,  tha se muajve të fundit është vërejtur që ndotja e ajrit është më e theksuar në Prishtinë e sidomos në lagjet “Dardania” dhe “Kodra e Trimave”.

“Edhe në Komunën e Prishtinës, sikurse në tërë Kosovën, ditët e fundit po vërehet, veçanërisht muajin e fundit po vërehet një ndotje pak më e madhe e ajrit sesa ka qenë muaj më herët. Para pak dite kemi dalë me një raport pesë mujor për cilësinë e ajrit, por këtë muaj po shihet që ndotja është më e theksuar sidomos në lagjet ‘Dardania’ dhe ‘Kodra e Trimave’, ku edhe më herët gjatë pesë mujorit dhe raportit të prillit kemi vërejtur që është një ndotje më e theksuar e ajrit”, tha ajo.

Komuna e Prishtinës ka gjashtë senzorë për matje të cilësisë së ajrit të vendosur në lagjet e Prishtinës në pozita të ndryshme, të cilët bëjnë matjen e gjashtë parametrave të ajrit, tha Seniha Bajraktari.

Sipas saj, shkaktari kryesorë i ndotjes së ajrit është trafiku shumë i ngarkuar dhe përdorimi i lëndëve djegëse.

Shkaktarët kryesorë në komunën e Prishtinës meqenëse nuk kemi industri të zhvilluar mbetet të jetë komunikacioni do të thotë trafiku shumë i ngarkuar dhe sidomos përdorimi i lëndëve djegëse, karburantet që përdoren si lëndë djegëse në trafik të kualitetit jo të mirë. Kjo mundet me qenë njëri dhe shkaktari kryesorë.

KosovaPress ka provuar që të marrë një prononcim nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinore lidhur me atë se a ka strategji kjo ministri për të reduktuar ajrin e ndotur në Prishtinë, por që edhe përkundër pritjes tri javore nuk ka marrë përgjigje. /Telegrafi/

Exit mobile version