Tetori ndryshe nënkupton edhe muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Muaji rozë ndihmon në rritjen e vëmendjes e vetëdijes, zbulimin dhe trajtimin e hershëm e po ashtu edhe për kujdesin ndaj kësaj sëmundje.
Mes shumë mesazheve e kampanjave që janë bërë deri më tani, Telegrafi edhe kësaj radhe ka zgjedhur disa nga personazhet e njohura për të sensibilizuar vajzat dhe gratë për kancerin e gjirit.
Ana Kabashi, Arta Bajrami, Nora Muçaj, Doruntina Arifi, Fjolla Nila dhe Diellza Kolgeci – janë disa nga figurat publike që kanë transmetuar mesazhet e tyre duke bërë me dije se diagnostikimi i hershëm është mënyra më e mirë për të fituar betejën me këtë sëmundje.
Ana Kabashi (Këngëtare)
“Ne duhet të kujdesemi për shëndetin tonë. Tetori është muaji i vetëdijesimit për kancerin e gjirit, të gjitha vajzat e gratë ju lutem kontrollohuni më herët sepse një diagnostikim i hershëm mund të shpëtojë jetë. Andaj, kërkoj nga të gjitha vajzat të cilat janë të prekura nga kanceri i gjirit të lutem të ndani historinë tuaj që të vetëdijesohen edhe gratë e tjera”.
Arta Bajrami (Këngëtare)
“Kontrollimi i rregullt do të thotë zbulim në kohë, zbulimi në kohë rrit në maksimum suksesin e mjekimit, prandaj kujdesu për vetveten dhe kontrollohu rregullisht”.
Nora Muçaj (Aktore dhe këngëtare)
“Tetori është muaji i ndërgjegjësimit kundër sëmundjes së kancerit të gjirit. Të gjitha ju gra që jeni të prekura nga kjo sëmundje, ju lus që ta ndani historinë me ne që së bashku të jemi më të forta dhe që të mund të shpëtojmë një jetë”.
Doruntina Arifi (Trajnere fitnesi)
“Aktiviteti i rregullt fizik, mbajtja e peshës normale trupore si dhe ushqyeshmëria e shëndetshme mund të ndikojë në parandalimin e kancerit të gjirit. Andaj, ajo çfarë bëni ju sot mund të ndikojë nesër në shëndetin tuaj. Kujdesuni për veten”.
Fjolla Nila (Kreatore)
“Tetori në të gjithë botën është muaji i sensibilizimit për kancerin e gjirit. Kanceri i gjirit mund të kurohet, andaj mos ngurroni të bëni kontrollet e nevojshme për parandalimin e kësaj sëmundje që rrezikon jetë. Duaje jetën dhe kujdesu për të”.
Diellza Kolgeci (Ish-Miss Kosova dhe aktore)
“Sëmundja e kancerit mund t’i prek të gjithë pavarësisht moshës, gjinisë apo statusit. Kemi shumë pyetje e shumë pak përgjigje rreth kësaj sëmundje të ashtuquajtur sëmundje tinzare, por një është e sigurt që diagnostikimi i hershëm e bën shumë më të lehtë luftimin ndaj kësaj sëmundje. Andaj lus që të gjithë ne të shkojmë dhe t’i bëjmë kontrollet e rregullta dhe pavarësisht rezultatit duhet që çdo herë të jemi të durueshëm dhe me pozitivitet sepse dihet që mendimi pozitiv ndikon në çdo sferë të jetës e sidomos për ta luftuar këtë sëmundje”.
*Mos i anashkaloni kontrollet rutine, jo vetëm në këtë muaj por përgjatë gjithë vitit.
*Kujdesi është çdo herë i nevojshëm!
/Telegrafi/