Arlind Ajeti nuk ka debutuar si është më së miri në Serie A me skuadrën e tij të re, Torinon, pasi në ndeshjen ndaj Empolit ka bërë një gabim të pafalshëm, që i kushtoi skuadrës së tij me gol.
Mbrojtësi i lindur në Kosovë nuk është duke përjetuar sezonin e tij më të mirë, pasi pas transferimit në verë te Torino, pësoi një lëndim që e la për tre apo katër muaj jashtë fushave.
Megjithatë, Ajeti arriti të rikuperohet pas punës së madhe dhe ja doli vetëm tani në pjesën e dytë të bëj debutimin me skuadrën e Torinos, transmeton Telegrafi.
Por, debutimi ishte i hidhur për qendërmbrojtësin e kombëtares shqiptare, pasi ishte fajtor tek goli i barazimit 1-1 të Empolit.
Ajeti bëri një gabim të pafalshëm, pasi në tentim për t’ia kthyer topin portierit të tij, ai goditi pak topin dhe topi u ndal në fushën me ujë, ku sulmuesi kundërshtar pastaj e pati të lehtë të shënoj vetëm me portier. /Telegrafi/