Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve nga FIFA për më të mirë e vitit ishte edhe presidenti i Real Madridit, Florentino Perez.
Me këtë rast nuk ka munguar edhe komenti i tij për Cristiano Ronaldon, edhe pse ky i fundit nuk mori pjesë në ceremoninë gala.
Perez ka gëzuar tifozët duke thënë se largimi i portugezit ishte vetëm një mirupafshim dhe jo lamtumirë.
“Do t’i jepja një përqafim Cristianos, ai është pasardhësi i denjë i Alfredo Di Stefanos. Ai do të kthehet një ditë”, ka thënë Perez për El Chiringuito TV.
Sigurisht fjala ishte që CR7 të kthehet në kryesinë e klubit, pse jo edhe trajner, pasi si lojtarë tashmë kapitulli i tij me Los Blancos është mbyllur.
Ronaldo kaloi te Juve gjatë verës dhe 33-vjeçari me atë rast nënshkroi kontratë katër vjeçare.
Vlen të theksohet se çmimi ‘Lojtari i Vitit’ u fitua nga Luka Modric me 29.05 për qind të votave, kurse Cristiano ishte i dyti me 19.08 për qind. /Telegrafi/