Telegrafi

“Ai nuk e meriton të luajë” – vlera e Dele Allit vazhdon të bie, nuk e duan as në Turqi

Trajneri i Besiktasit, Senol Gunes, nuk e futi në lojë Dele Allin në 1/8 e Kupës së Turqisë dhe tha se mesfushori anglez “kishte një karrierë të mirë, por tani nuk e meriton të luajë”.

Besiktas u eliminua nga Ankaragucu pas penalltive, ndërsa pjesa e rregullt përfundoi 1-1.

Kujtojmë se në janar të vitit 2022, Alli kaloi nga Tottenham te Everton për 25 milionë euro, të cilët shtatë muaj më vonë e dërguan te Besiktas në huazim.

Në Turqi, tifozët e sulmuan atë për paraqitjet e dobëta dhe trajneri Gunes pranoi në nëntor 2022 se Alli po luante “nën pritshmëritë”.

Besiktas dëshironte të ndërpresë huazimin dhe ta kthejë Alinë te Everton, por kjo nuk ndodhi pasi nuk ka klauzolë për përfundimin e parakohshëm në kontratë.

Kontrata e Allit me Everton është deri në verën e vitit 2024. Ai bëri 37 paraqitje për kombëtaren angleze dhe shënoi tre gola.

Ai ka luajtur për herë të fundit për Anglinë në Ligën e Kombeve në vitin 2019.

Transfermarkt e vlerëson 14 milionë euro, ndërsa në vitin 2018 vlera e tij ishte 100 milionë euro./Telegrafi/