Telegrafi

“Ai ishte diçka ndryshe” – Bojan Krkic thotë se Messi nuk ishte lojtari më i mirë me të cilin luajti

Bojan Krkic luajti me disa lojtarë të shquar gjatë karrierës së tij profesionale 17-vjeçare, duke përfshirë Lionel Messin, por shtatë herë fituesi i Topit të Artë nuk ishte më i miri.

Ish-reprezentuesi spanjoll, i cili kohët e fundit njoftoi tërheqjen e tij në moshën 32-vjeçare, bëri mbi 100 paraqitje për klubin e fëmijërisë, Barcelonën, përpara se të luante te Roma, Milan, Stoke City dhe së fundmi Vissel Kobe.

Ai luajti me lojtarë si Lionel Messi, Andres Iniesta, Francesco Totti dhe Stephen Ireland në atë kohë, por ka një lojtar që dallon nga të tjerët; Ronaldinho.

“Ronaldinho ka qenë ndoshta lojtari më i veçantë me të cilin kam luajtur”, ka thënë Bojan për talkSPORT.

“Më kujtohet Ronaldinho veçanërisht sepse për mua, Ronaldinho është lojtari më i mirë që kam parë si tifoz dhe me të cilin kam luajtur në karrierën time futbollistike”.

“Natyrisht që Messi është i pabesueshëm, veçanërisht gjatë gjithë viteve që ai luajti, dhe ai ende po luan dhe i fiton të gjitha trofetë që ka arritur tashmë”.

“Ai është i pabesueshëm, por Ronaldinho ishte diçka ndryshe. Për mua, ai ishte i veçantë, magjik – mënyra se si luante futboll, mënyra se si mund ta bënte atë në fushë me një buzëqeshje në fytyrë”, përfundoi spanjolli.

Ndryshe, vetëm 19 ditë pas ditëlindjes së tij të 17-të, Bojan theu rekordin e Messit për të qenë lojtari më i ri i Barcelonës që paraqitet në La Liga, pasi u fut në qendër të vëmendjes nga menaxheri i atëhershëm Frank Rijkaard.

Ishte fillimi i një sezoni të paharrueshëm për adoleshentin, i cili do të shënonte gjithsej 10 herë atë edicion. /Telegrafi/