Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka ditë që është i lidhur me një rikthim te Fenerbahce, por trajneri i Mallorcas, Jagoba Arrasate, ka deklaruar se kjo nuk do të ndodh.
Në Spanjë dhe Turqi ka disa ditë që po raportohet se Muriqi, mund të largohet në afatin kalimtar të janarit për t’iu bashkuar Fenerbahces së Jose Mourinhos.
Por në konferencë për shtyp, para ndeshjes me Real Madridin në Superkupën e Spanjës, trajneri i Mallorcas, Jagoba Arrasate, ka thënë se Muriqi është i lumtur te Mallorca.
“Jam i qetë, sepse ai është një lojtar i rëndësishëm për klubin dhe e shoh super të lumtur te Mallorca. Unë nuk jam aspak i shqetësuar. Ajo që kërkoj është që askush të mos largohet, të mos kemi humbje të papritura”, deklaroi ai.
Fenerbahçe aktualisht udhëhiqet nga trajneri portugez, Jose Mourinho, klub ku Muriqi luajti me sukses për një vit, duke shënuar 17 gola, për të kaluar pastaj te Lazio. /Telegrafi/