Sulmuesi i Manchester United, Rasmus Hojlund, ka hedhur poshtë krahasimet me rivalin e Manchester City, Erling Haaland, duke këmbëngulur se sulmuesi norvegjez është ‘sulmuesi më i mirë në botë’.
Hojlund iu bashkua “Djajve të Kuq” nga Atalanta në gusht për një shifër prej 64 milionë funteve, megjithëse kjo shifër mund të rritet në 72 milionë funte nëse plotësohen bonuset.
Për shkak të emrave të tyre të ngjashëm, gjatësisë dhe prejardhjes nga Skandinavia, Hojlund menjëherë hodhi poshtë krahasimet me Haaland.
Duke folur për median norvegjeze TV2, Hojlund shfrytëzoi rastin për të lavdëruar Haaland dhe për të hedhur poshtë debatet për ngjashmëritë midis të dyve.
“Shpresoj që një ditë të arrij nivelin e tij, por tani mendoj se është shumë herët. Erling është sulmuesi më i mirë në botë, nëse jo futbollisti më i mirë në botë. Nuk dua të krahasohem me të, por shpresoj që një ditë të mund të jem si ai”, ka thënë Hojlund fillimisht.
Hojlund do të përballet me Haaland për herë të parë kur United do të presë Cityn në derbin e Mançesterit më 29 tetor dhe sulmuesi danez u pyet për atë takim.
“Siç thashë, Erling është një lojtar i klasit botëror. Ai ka pasur disa sezone absolutisht të jashtëzakonshme. Duhet ta ndalim kur ta takojmë. Ai është një futbollist i çmendur. Mundohem të mësoj prej tij”, shtoi ai.
Pasi humbi ndeshjet e para të sezonit 2023/24 për shkak të një lëndimi në shpinë, Hojlund ka ardhur në veten e tij te United javët e fundit.
Ai nuk ka shënuar ende në pesë paraqitje në Ligën Premier, por tashmë ka shënuar tre gola të në Ligën e Kampionëve dhe ka impresionuar me fizikun dhe lojën e tij me topin në këmbë.
Kur u pyet se sa i mirë mund të bëhej, Hojlund u përgjigj: “Nuk e di. Do të duhet ta shohim këtë. Tentoj të përmirësohem ditë pas dite dhe kohë pas kohe. Më pëlqen që ka pritshmëri nga unë. Më pëlqen”, përfundoi ai./Telegrafi/