Telegrafi

‘Ai është ndër futbollistët më të mëdhenj që e kanë goditur topin’ – Maguire del në mbrojtje të Ronaldos

(Foto: EPA)

Kapiteni i Manchester Unitedit, Harry Maguire, ka dalë në mbrojtje të Cristiano Ronaldos pas largimit dramatik nga Old Traffordi.

Djajtë e Kuq ia ndërprenë kontratën superyllit portugez pas kritikave ndaj klubit në intervistën bombastike me Piers Morgan.

Derisa shumë të tjerë i dënuan ankesat e 37-vjeçarit në mënyrë aq publike, Maguire ka dalë në anën e ish-bashkëlojtarit të tij.

“Si futbollist, askush nuk dëshiron të kritikohet, por unë mendoj se është pjesë dhe pako e lojës. Kam luajtur me Cristiano Ronaldon në dy vitet e fundit dhe është një nga futbollistët më të mëdhenj që e kanë goditur topin”.

“Ai kritikohet në baza ditore, prandaj nëse i ndodh atij dhe duke marrë parasysh pozitën ku unë luaj për Manchester Unitedin, do të na ndodhë të gjithëve”.

“Thjesht duhet të punosh shumë, të shkosh në stërvitje, të bësh më të mirën dhe kjo është e gjitha që mund të bësh”, ka deklaruar Maguire në një konferencë për shtyp. /Telegrafi/