E diela mund të jetë dita e madhe për Eder Militaon, i cili po i afrohet paraqitjes së tij të parë nga fillimi këtë sezon për Real Madridin.
Mbrojtësi brazilian është rikthyer përsëri në dispozicion të Carlo Ancelottit, pasi u rikthye nga një lëndim i rëndë që kishte pësuar në gju në gusht të vitit të kaluar, ndërsa kishte marrë disa minuta në katër ndeshjet e fundit.
Sidoqoftë, Ancelotti ka konfirmuar në konferencën e tij për shtyp se Militao është i gatshëm që të startojë ndaj Barcelonës.
“Ai mund të jetë startues. Ai ka nevojë për minuta dhe është i gatshëm. Ai po mezi po pret që të luajë. Militao mund të jetë një opsion për ne”, ka thënë Ancelotti.
Braziliani megjithatë do të ndeshet me një konkurrencë për një vend në formacion duke marrë parasysh se Nacho Fernandez tregoi paraqitje fantastike ndaj Manchester Cityt të mërkurën, ndërsa opsion tjetër në mbrojtje është edhe Aurelien Tchouameni, për të startuar krah Antonio Rudiger.
Tekniku italian ndër të tjerash foli edhe për Federico Valverden i cili ka qenë i kudondodhur në fushë për Real Madridin këtë sezon, dhe duket se të njëjtën do ta bëjë edhe në El Clasico.
“Ai ka qenë gjithmonë shumë i mirë në fushë, e ka ndihmuar skuadrën shumë. Ai është strikt dhe kjo është pse e vendos në formacion. Ai kontribuon si sulmues, si mesfushor. Ai është i pazëvendësueshëm për mua”, është shprehur italiani./Telegrafi/