Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka deklaruar se tashmë është plotësuar edhe kushti i vetëm për anëtarësim në Këshill të Evropës, që ishte zbatimi i aktgjykimit të Kushtetueses për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit.
Në një konferencë për media së bashku me ministren Artane Rizvanolli, Ahmeti ka theksuar se deri në plotësimin e këtij kushti janë angazhuar përbrenda e kanë lobuar jashtë, derisa shtoi se ky ka qenë kushti i vetëm.
“Sot Republika e Kosovës ka adresuar dhe përmbushur të gjitha rekomandimet kryesore, standardet, kushtet, shqetësimet e shënuara në raportin e juristeve eminent në memon e dhjetorit të raportueses Theodora Bakoyannis në draft raportin e parë fillestar të saj në komitetin për çështje politike dhe demokraci dhe në shqetësimet e ngritura nga të tri raportuese gjatë vizitave dhe takimeve që kemi pasur me to që nga tetori”, ka deklaruar Ahmeti.
Ahmeti ka shtuar se në periudhën e fundit të procesit, është fokusuar përgjegjësisht nga ana e raportueseve të Këshillit të Evropës në tri kushte kryesore para anëtarësimit, për të cilat jemi angazhuar përbrenda dhe kemi lobuar jashtë.
“Që nga janari e tutje ka mbetur vetëm një kusht, që në sytë e juristëve eminentë të raportueseve dhe grupeve kryesore politike në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, është parë si kusht i panegociueshëm. Ky kusht është zbatimi për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit”, tha Ahmeti./KP/