Telegrafi

Ahmeti: Shteti duhet të ofrojë politika të qëndrueshme

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) për Telegrafi Maqedoni njofton se sot fushata zgjedhore e partisë filloi në Komunën e Sarajit, ku kryetari Ali Ahmeti takoi sipërmarrësit e kësaj zone me qëllim që të diskutojë mbi inkurajimin e biznesit vendor që ai të përparojë.

“Për të qenë në biznes, për të hapur një biznes, vërtet duhet të jesh i guximshëm, dhe të kesh besim tek qëllimi. Për të pasur një biznes të suksesshëm, një shtet mendoj se duhet të ketë politika të qëndrueshme pasi pa to nuk ka as biznes afatgjatë, pa politika që avancojnë biznesin, ai nuk mund të përparojë”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetari i BDI-së dhe bartës liste për njësinë 6.

Para afaristëve të profileve të ndryshme, Ahmeti theksoi se mandati që po lihet pas ka qenë tejet kaotik, por rikujtoi ata se në fushën e biznesit ka pasur zhvillime për t’u përshëndetur, krahasuar me problematikën ku ndodhej vendi. /Telegrafi/