Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, ka reaguar ndaj propozimit që Besnik Bislimi bëri në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit për të zbutur gjendjen e vështirë ekonomike të qytetarëve.
Ahmeti thotë se propozimi i Bislimit që “Qeveria duhet të ja u mundësojë qytetarëve me marr kredi në Bankë e qeveria të ja u paguaj kamatën” nuk vjen në shprehje pasi sipas tij qytetarët kanë humbur vendet e punës dhe atë borxh nuk mund ta kthejnë.
“Ne mundemi me e largua kamatën, por kredia është aty. Me çka me KTHY atë kredi? Pra na veç po i mundësojmë me hy në borxh por pa kamatë”, ka shkruar Ahmeti.
Me këtë rast edhe Ahmeti ka dhënë një propozim alternativ ndaj Bislimit për të zbutur krizën ekonomike të bizneseve e qytetarëve.
“Më mirë do të ishte të kreditohej shteti për të subvencionuar qytetarët apo me forma tjera të transferit dhe duke subvencionuar apo kontraktuar bizneset për punë të ndryshme”, thotë Ahmeti.
Postimi i plotë i Shpend Ahmetit
Sapo e dëgjova ish kolegun tim Prof. Besnik Bislimin që tha që propozimi i VV është më i mirë se 10 përqindshi i Trustit (propozim i LDK). Propozimi ishte ky – Qeveria duhet të ja u mundësojë qytetarëve me marr kredi në Bankë e qeveria të ja u paguaj kamatën. Kjo sipas Besnikut, do ta rriste kërkesën agregate.
Nuk jam përkrahës i madh i 10 përqindshit të Trustit si rritje e kërkesës agregate, ama ky propozim i VV e ka një mungesë esenciale.
Jena tu fol për njerëz që e kanë humb vendin e punës, apo biznesin apo thjeshtë i kanë humb të hyrat. Ne mundemi me e hjek kamatën, por kredia është aty. Me çka me KTHY atë kredi? Pra na vec po i mundësojmë me hy në borxh por pa kamatë.
Më mirë do të ishte të kreditohej shteti për të subvencionuar qytetarët apo me forma tjera të transferit dhe duke subvencionuar apo kontraktuar bizneset për punë të ndryshme.
Edhe më problematike për të majten – Me çdo kusht, si me masat në prill, si në Maj si tani – kjo politikë e ruan profitin e bankës. Për shtatë muajt e parë të 2020 – profiti i bankave në Kosovë 45 milion euro. Nuk jam kundër profitit të bankavr por kur kemi shtyer pagesën e kësteve të kredisë kemi pas mundësinë të ndalim edhe pagesën e interesit për atë periudhë. Kur e ndajmë profitin, ta ndajmë edhe humbjen.
P.s. Ju lus të më kurseni nga debatet partiake. Jemi tu diskutu idetë në një krizë ekonomike me shpresën që i gjejmë politikat më të mira. Dëshira ime do të ishte që kjo të vjen nga socialdemokracia e VV!