Telegrafi

Ahmeti për shpërbërjen e Sekretariatit për MO-në: Si ministri do të ketë më shumë forcë

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, ka komentuar transformimin e Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në ministri. Ai tha se kjo çështje është e kryer dhe se nuk ka kthim prapa.

Ahmeti foli edhe për mendimet ndryshe në partinë e tij për këtë punë, duke thënë se mendimi ndryshe nuk e ka dobësuar BDI-në dhe se e drejta e mendimit ndryshe nuk i mohohet askujt, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Ky sekretariat të shndërrohet në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Komuniteteve për arsye se kështu i jepet më shumë edhe legjitimitet edhe forcë si ministri, për të jetësuar dhe materializuar të gjithë pjesën legjislative të Marrëveshjes së Ohrit, për të qenë sa më të suksesshme në zbatim dhe materializim të pjesës legjislative. Vetë Sekretariati nuk ka pasur imunitetin e propozimit dhe hartimin e ligjeve, kurse ministria e ka këtë potencial”, tha Ahmeti.

Ai u pyet nga gazetarët se kush do ta udhëheq ministrinë e re, ai tha se është herët të flitet për gjëra të tilla.

Ndryshe, shndërrimin e Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit e ka kundërshtuar udhëheqësi i këtij institucioni, Hazbi Lika. Ai më herët përmes një kumtese për media theksoi se nuk ka qenë aspak i informuar për këtë iniciativë të BDI-së dhe se kjo nuk është çështje që kalohet lehtë./Telegrafi/

Lexo po ashtu Lika komenton shpërbërjen e Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, thotë se nuk ka qenë i informuar