Site icon Telegrafi

Ahmeti: I kemi premtuar Haradinajt përkrahje për taksën

Kryetari i PSD-së dhe bashkëkryesuesi i Ekipit negociator, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se para vendimit për taksën ndaj Serbisë, i kishte telefonuar kryeministri Ramush Haradinaj, për të kërkuar përkrahjen e deputetëve të PSD-së, që të mos binte qeveria.

Ahmeti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Haradinajt i ka premtuar përkrahje, nëse Lista Serbe do të dilte nga koalicioni.

“Para vendimit për taksen më ka telefonuar kryeministri Ramush Haradinaj. Më ka tregu që don me e vendos taksën dhe më ka thënë që kjo e largon Listen Serbe. Pyetja ishte ‘në qoftë se largohet Lista Serbe, a më mbështet në taksë që mos me ra qeveria’. I kemi thënë po!”, ka shkruar fillimisht Ahmeti.

Ai tutje ka thënë se për taksën, do të jetë bashkë me Haradinajn. Qoftë nëse vendosin ta mbajnë këtë vendim, apo ta pezullojnë, transmeton Telegrafi.

Ahmeti thotë se edhe taksa është pak, karshi politikave ndaj Serbisë.

“Edhe sot mendoj që taksa është pak karshi politikave të Serbisë! Dashakëqinjtë e shtrembërojnë deklaraten time! Unë i kam thënë kryeministrit, për taksen jemi bashkë! Në qoftë se vendosim bashkë me e mbajt, e ndajmë presionin! Në qoftë se vendosim bashkë me e pezullu përkohësisht për ti dhënë rast dialogut, e ndajmë kritikën publike bashkë!”, thotë tutje kryetari i PSD-së.

Ahmeti ka thënë se në kohën kur merrnin kredite për taksën, të gjithë vraponin pas kamerave. Kurse pas presionit nga Amerika, sipas tij, nuk po i zë dera.

Në fund ai ka thënë se interesi shtetëror nuk është pronë e askujt, dhe gjithashtu duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët.

“Kur ishte në pyetje me e marr kreditin për taksë, nuk i nxinte kamera. Kur erdhi presioni amerikan, nuk i nxen dera. Ne jemi këtu edhe në të mirë, edhe në të keq. Interesat shtetëror nuk janë pronë e askujt, janë përgjegjësi e përbashkët. Përfituesit ditor mundohen me rrejt e shpif. Interesi i shtetit mbetet synim i përhershëm që mbijeton!”, ka përfunduar Shpend Ahmeti.

Ky reagim i tij erdhi pas deklaratave në një emision, se taksa edhe do të mund të pezullohej, për t’i hapur rrugë dialogut. /Telegrafi/

Exit mobile version