Deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për largimin e serbëve nga Ushtria e Kosovës, i ka kundërshtuar bashkë-kryesuesi i ekipit negociator, Shpend Ahmeti.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Ahmeti ka kërkuar nga BE-ja që ta ndërpresë heshtjen ndaj politikave të Serbisë, kundër serbëve në Kosovë.
Ai ka thënë se BE-ja nuk reagoi as ndaj akuzave të Gjuriqit për ministren e re të Bujqësisë, transmeton Telegrafi.
“Po dhuna politike e Serbisë shtetërore kundër (integrimit të) serbëve të Kosovës bëhet edhe më e drejtpërdrejtë kur Marko Gjuriqi ushtron sot presion të drejtpërdrejtë shtetëror ndaj ministres së re të Kosovës për Bujqësi, Dijana Zhiviq, me gjuhën e njëjtë të Millosheviqit, që “bashkëpunimi i serbëve me institucionet e Kosovës qenka veprim kundër interesave të kombit serb”. Përsëri asnjë reagim nga Brukseli”, ka shkruar Shpend Ahmeti.
Postimi i plotë:
BASHKIMI EVROPIAN TA NDËRPREJË HESHTJEN NDAJ POLITIKËS SË SERBISË KUNDËR SERBËVE TË KOSOVËS
Përderisa Beogradi zyrtar e ka dinamizuar aktivitetin e tij politik kundër integrimit të serbëve të Kosovës, Bashkimi Evropian vazhdon heshtjen.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi ka inkurajuar sot serbët e Kosovës të mos përfshihen në institucionet e Kosovës, si dhe të dalin nga ushtria e Kosovës e cila sipas tij “shërbimin e vetëm që mund ta kryejnë është vrasja e serbëve”. Me sa duket përvoja e tij në Bosnje dhe në Kosovë po e ridëshmon doktrinën e tij për ushtrinë, kur ushtria “jugosllave” vriste shtetasit e saj, me mbështetjen dhe bekimin politik të partisë së atëhershme të Vuçiqit. Kritika e vetme e tyre ishte se ajo nuk ishte mjaft “efikase”.
Nga ana e saj, kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq që i rikujton shqiptarëve se “jemi në shekullin XXI”, po i mungon vetëm edhe citimi i “babait të kirurgjisë serbe“, Vladan Gjorgjeviqit, për “shqiptarët me bisht”.
Po dhuna politike e Serbisë shtetërore kundër (integrimit të) serbëve të Kosovës bëhet edhe më e drejtëpëdrejtë kur Marko Gjuriqi ushtron sot presion të drejtëpëdrejtë shtetëror ndaj ministres së re të Kosovës për Bujqësi, Dijana Zhiviq, me gjuhën e njëjtë të Millosheviqit, që “bashkëpunimi i serbëve me institucionet e Kosovës qenka veprim kundër interesave të kombit serb”.
Përsëri asnjë reagim nga Brukseli.
Emërimi i Dijana Zhiviqit, si grua dhe si pjesëtare e komunitetit serb të Kosovës, është për t’u përshëndetur. Ajo, si dhe çdo qytetar që dëshiron të jetojë në paqe dhe të bashkëjetojë në harmoni me qytetarët e përkatësive të ndryshme etnike në Kosovë duhet të mbrohet nga institucionet dhe shoqëria jonë kundër presioneve të qeveritarëve të Serbisë.
Ministrja e re e Bujqësisë e Republikës së Kosovës duhet të mbrohet nga Qeveria e Serbisë dhe të gjykohet vetëm se mbi performansën e politikat e saj në sektorin e bujqësisë. /Telegrafi/