Site icon Telegrafi

Ahmeti dhe Gruevski të dyshuar për ndërprerjen e regjistrimit, këto janë lëndët e PSP-së (Video)

Prokuroria Speciale Publike (PSP) sot në opinion ka dalur me tre lëndë të reja për të cilat kanë përfunduar procedurat parahetimore dhe tashmë kanë të dyshuarit e parë.

Fatime Fetai njoftoi se kanë hapur lëndët me emrat “Regjistrimi”, “Aktorët” dhe “Të fortët”, ku të dyshuarit kryesor janë zyrtarë të pushtetit të kaluar OBRM-PDUKM-BDI, njofton Telegrafi Maqedoni.

Në lëndën e parë “Regjistrimi” të dyshuarit e kryesorë të PSP-së janë dy ish-partnerët e qeverisë së kaluar, Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski, të cilët sipas PSP-së kanë vendosur që të ndërprejnë regjistrimin e popullsisë në vitin 2011 vetëm që të vazhdojnë të qëndrojnë akoma në pushtet. Prokurorja Fetai theksoi se në ketë mënyrë dy të akuzuarit e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me 175 milionë denarë. Ahmeti dhe Gruevski dyshohen për veprën “keqpërdorim te pozitave zyrtare dhe autoritetit”.

Arsyeja e ndërprerjes së regjistrimit të popullsisë, sipas PSP-së ka qenë pasi me regjistrimin e popullsisë do të dëmtohej imazhi i liderëve të BDI-së dhe OBRM-PDUKM-së. Ndërsa Katica Janeva njoftoi se për këto dyshime Ahmeti dhe Gruevski akoma nuk janë ftuar për deklarata.

Lënda e dytë të cilën e ka hapur PSP-ja mban emrin “Të fortët”, ku i dyshuari i parë është një deputet, ndrësa në media spekulohet se ai është Antonio Milloshoski. Ai dhe disa persona tjerë zyrtar, nga PSP dyshohen për blerje të paligjshme të tokës komunale në Makedonski Brod.

Ndërsa lënda e tretë e PSP-së të cilën e publikuan sot quhet “Aktorët” dhe ka të bëjë me ndërtimin e autostradës Demir Kapi-Smokviqë, në të cilën kryeministri i asaj kohe Nikolla Gruevski në shpalljen e tenderit ka favorizuar një kompani greke. Në këtë lëndë përkrah Gruevskit i dyshuar është edhe ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski. Gjatë marrëveshjes me këto dy ish-zyrtarë të Qeverisë së Maqedonisë, kompani greke “Aktor” ka fituar më shumë se 7 milionë euro. Në këtë tender sipas PSP-së, ka marrë pjesë edhe një kompani nga Italia, e cila me urdhër të Gruevskit nuk është zgjedhur pasi sipas tij, ka qenë e afërt me LSDM-në.

Përndyshe, këto lëndë janë vetëm në fazën parahetimore, ndërsa pritet që pasi të vërtetohen dyshimet PSP-ja në Gjykatën Penale edhe të dorëzojë aktakuzat e para për të dyshuarit e tyre.

Ndërkohë, ish-kryeministri Nikolla Gruevski tashmë është në gjykim në disa lëndë tjera të PSP-së, ndërsa për kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, mund të jetë akuza e parë.

Gjithë këto dyshime dhe aktakuza që janë ngritur nga PSP, dalin nga përgjimet e paligjshme të cilat i publikoi opozita e atëhershme, LSDM./Telegrafi/

Exit mobile version