Site icon Telegrafi

Ahmeti: Cilido qoftë variant do të ishte i pranueshëm, veç Albin Kurti të mos jetë kryeministër

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Imri Ahmeti, ka thënë se cilido qoftë variant do të ishte i pranueshëm, siç u shpreh ai, vetëm që Albin Kurti të mos jetë kryeministër.

Ai është shprehur se janë duke punuar që Lidhja Demokratike të dalë e para dhe u shpreh se po shohin një trend në rritje.

“Ne po punojmë dhe mendojnë që do t’ia dalim mirë në zgjedhje, natyrisht që cilido qoftë variant do të ishte i pranueshëm, veç Albin Kurti të mos jetë kryeministër. Ne punojmë që Lidhja Demokratike të dalë e para, unë besoj që në vazhdimësi po e shohim një trend të rritjes graduale dhe ky trend i rritjes neve na jep mesazh që duhet të vazhdojmë punën”, është shprehur Ahmeti.

Ahmeti vlerëson se qëndrimi i PDK-së për zgjedhjet mund të ketë prolonguar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.

Ai mes tjerash potencon se Kurti është dorëzuar si kryeministër kur ka shprehur gatishmëri për të shkuar në zgjedhje.

“Mund ta ketë prolonguar, nuk jam te ajo pjesa e njerëzve që e ka prishur këtë situatë por unë mendoj që është prolonguar për një momentum të caktuar. Albin Kurti është dorëzuar si kryeministër në momentin kur ai ka shprehur gatishmëri për të shkuar në zgjedhje”, u shpreh Ahmeti në Rubikon të Klan Kosovës.

“Cilat janë arsyet që ai dëshiron të shkojë në zgjedhje? Ai ka trumbetuar që do ta çojë mandatin deri në fund, tani erdh me një situatë, e para për t’i ikur vëmendjes me këtë huqje të madhe drastike të Këshillit të Evropës, e dyta ndoshta për të futur përçarje mes opozitës dhe për të ngrehur një takim të madh rreth takimit të kryeministrit me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës”.

Ahmeti e ka konfirmuar se do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e ardhshme. Ditë më parë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, drejtues të kësaj partie kanë bërë të ditur se disa kryetarë komunash do të jenë kandidatë për deputetë.

“Është diskutuar, ka një vullnet, shumica e kryesisë mendojnë që edhe kryetarët e komunave duhet të jenë në listë për deputet, për shkak të peshës dhe rëndësisë që kanë zgjedhjet dhe natyrisht për shkak të mbështetjes së madhe që kanë kryetarët e komunave që vijnë nga LDK”, tha kryetari i Lipjanit.

Sipas tij, “vendimin definitiv të listës do ta marrë Këshilli i Përgjithshëm”. “Unë besoj që do të jemi pjesë shumica e kryetarëve të komunave që vijmë nga LDK. Do ta përfillim qëndrimin e LDK-së. Unë nuk synoj që të jem deputet, synoj që t’i ndihmoj LDK-së. Nuk do e lë mandatin e kryetarit, por ua bëj me dije që jam në listë për t’i ndihmuar partisë”, tha Ahmeti.

Njëjtë si Imri Ahmeti, në garë për deputetë do të jenë edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe ai i Fushë Kosovës, Burim Berisha.

Exit mobile version