Në Qendrën e Numërimit të Rezultateve është duke vazhduar procesi i rinumërimit të mbi 1 mijë vendvotimeve. Ndonëse në vendimin Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa u urdhërua Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të rinumërojë 1,472 vendvotimeve, zëdhënësi i KQZ-së,Valmir Elezi, ditë më parë tha se janë 1,428 vendvotime për t’u rinumëruar.
Kjo pasi që sipas tij nga lista e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), 30 vendvotime ishin të shënuara nga dy herë dhe 12 vendvotime të tjera janë rinumëruar më parë në QNR me vendim të KQZ-së.
Por, koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se do të rinumërohen vetëm 1 mijë e 407 vendvotime dhe jo 1 mijë e 472 siç është thënë me herët në vendimin e PZAP-it.
Ahmetaj ka sqaruar se përse do të rinumërohen vetëm 1,407 vendvotime.
“Verifikimi preliminar ishte 1,428, mirëpo pas krahasimeve dhe analizimeve nga QNR, rezulton se nuk janë 1472 vendvotime por janë 1470, prej tyre 18 janë rinumëruar më herët në Qendrën për Numërimin e Rezultateve (QNR) me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), shtatë vendvotime janë të padefinuara, nuk korrespondojnë me numrin e vendvotimeve, 38 vendvotime janë të shënuara dy herë”, ka thënë ai.
Sipas tij, në total janë 88.22 për qind e vendvotimeve.
“Pra në total për rinunërim janë 1,407 vendvotime, ku 840 të rinumëruara më herët me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe 1,407 me vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) bëjnë 88.22%. Mbesin pa u rinumëruar edhe 300 vendvotime”, është shprehur ai.
Kujtojmë se ky rinumërim vije pas vendimit të Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cli ka pranuar 53 ankesa të bazuara dhe prej tyre për 52 ankesa Paneli ka vendosur që të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për rinumërimin e 1,472 vendvotimeve./Telegrafi/