Telegrafi

Ahmetaj intervistë për median italiane, akuzon Ramën se ka pritur në zyrë grupet kriminale

Ish-krahu i djathtë i kryeministrit Edi Rama dhe ish zëvendësi i tij, Arben Ahmetaj, zbuloi se si në zyrën e Ramës zhvilloheshin takime me drejtuesit mafias dhe botës së krimit.

Në një komunikim me gazetarin Giorgio Mottola (i cili e ka siguruar bisedën me një kamera të fshehtë), Ahmetaj nga arratia ka rrëfyer se grupet kriminale marrin tendera nga qeveria dhe paratë e tyre i pastrojnë në Shqipëri.

Por, si ndodh kjo?

Ahmetaj tregon se “çelësi” i lidhjeve të Ramës me botën e krimit, është Ergys Agasi të cilin ai e quan “koordinator” mes Ramës dhe grupeve kriminale.

“Grupet kriminale marrin tenderë nëpërmjet përfaqësuesve të tyre. Është e ditur kjo në Shqipëri. Ndërtojnë, pastrojnë paratë e tyre ndërtim në Shqipëri. Praktikisht shesin drogë në të gjithë Europën dhe pastaj i kalojnë në Shqipëri. Ka në fakt një koordinim mes organizatave mafioze. Ata nuk vriten me njëri – tjetrin.

Lexo po ashtu Rama përballet me gazetarin e Rai 3 për kampet e emigrantëve dhe akuzat për lidhje të qeverisë me krimin

Kjo sepse Edi Rama iu ka kërkuar të mos i hapin telashe. A është Rama i lidhur me këto grupe kriminale? Nuk është vetëm i lidhur, por po të jap emrin e koordinatorit, Ergys Agasi. Është një tip që jeton në Durrës, pranë klanit të Durrësit. Tani është bërë për llogari të Ramës, koordinator i të gjithë grupeve”, thotë Ahmetaj.

Ergys Agasi është një biznesmen nga Durrësi, djali i një ish-deputeti socialist, përveç të tjerash pronar i një kompanie që prodhon cigare dhe që merret me logjistikë. Nuk ka qenë kurrë i dënuar apo i hetuar për lidhje me mafian shqiptare, por shpesh mediat kanë folur për lidhje të tij me anëtarë të grupeve kriminale si për shembull narkotrafikantin Xhevdet Troplini.

“Agasi bën koordinatorin dhe pastaj ai i përdor për zgjedhjet. Ku i takon Rama? I takon edhe në zyrën e tij, në zyrën e mbledhjeve që ka në selinë e qeverisë. Unë nuk kam marrë pjesë sepse nuk kam pranuar kurrë të përfshihem. I kam parë pothuajse të gjithë. Personazhe nga Dibra, Durrësi, Elbasani… Po. Kapo të mafias”, ka thënë Ahmetaj. /Telegrafi/