Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj ka thënë se nga informatat e deritanishme, raporti i Komisionit Evropian për vizat do të publikohet nga mesi i korrikut.
Në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu, është diskutuar për shanset që kemi për liberalizim të vizave këtë vit.
“Fundi i qershorit është koha kur Këshilli Evropian, do të del me konkluzionet e veta në lidhje me pakon për zgjerim, për secilin shtet veç e veç. Nga informatat e deritanishme që kemi, në këtë pako nuk do të përmendet çështja e liberalizimit të vizave”, ka thënë ish-ministrja Ahmetaj, e cila më pas ka dhënë një dozë optimizmi për procesin e liberalizimit të vizave.
“Ne presim që raporti i KE për liberalizimin pritet të del nga mesi i korrikut, dhe atëherë kjo do të jetë drita e gjelbër që do t’iu jepet institucioneve të BE-së për të përmbyllur këtë proces”, ka shtuar më tej Ahmetaj, përcjell Telegrafi.
Ahmetaj është deklaruar se Tanja Fajon dhe Ulriche Lunacek kanë dhënë indikacione që Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizim të vizave.
“Tanja Fajon dhe Ulriche Lunacek u kanë dhënë shtytje Bosnës dhe Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave. Prandaj ato janë mjaftueshme te familjarizuara me procesin, dhe është komisioni i Fajonit brenda Parlamentit Europian i cili del me rekomandim, që pastaj shkon të Këshilli i Ministrave të BE-së”, ka deklaruar Ahmetaj.
Ish-ministrja ka këshilluar që lobimi duhet të vazhdojë në shtetet veç e veç, sepse forma e votimit është e tillë që na jep optimizëm.
“Kosova duhet të lobojë në secilin shtet veç e veç, në mënyrë që të mos bllokohemi kur të vjen puna në Këshill”, ka thënë Ahmetaj duke shtuar se vendimi do të merret nga Këshilli ku janë të pranishëm Ministrat e Brendshëm të shteteve të BE-së./Telegrafi/