Sonte në emisionin “Përballje”, të transmetuar në RTV Dukagjini, është diskutuar për procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe liberalizimin e vizave.
Ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj ka thënë se për çështjen e liberalizimit të vizave ka mbetur vetëm edhe kriteri i demarkacionit, i cili duhet plotësuar, e që i është dhënë Kosovës si kusht për liberalizimin e vizave që specifikon se Kosova duhet ta bëjë demarkimin, shënimin e vijës kufitare.
“Kosova duhet ta bëjë edhe ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit në Parlament para se procesi të kalojë në Parlamentin Evropianë dhe në Këshillin Evropian, ky është kriteri i fundit dhe unë jam optimiste”, ka deklaruar Ahmetaj në emisionin “Përballje”.
Sipas saj, procesi po bllokohet në Kuvend por shumë deputetë e zyrtarë kanë nga dy shtetësi dhe ata nuk e kanë problem të marrin viza, por qytetarët.
“Shumë nga ta i marrin edhe vizat me telefon edhe nuk e kanë aspak problem. Unë po flas për shumë deputetë që janë në Kuvend e të cilët ne gjithë i njohim nuk bëra dallime e nuk thash këta apo këta por deputetët dhe zyrtarët në përgjegjësi nuk vuajnë me çështjen e marrjes së vizave qytetarët fatkeqësisht janë ata që po vuajnë”, tha ministrja Ahmetaj.
Por, Besa Shahini, njohëse e çështjeve evropiane ka thënë se demarkacioni e zhbllokon procesin por nuk garanton liberalizim të vizave.
“Kosova ka qenë dhe mbetet rrezik migrimi për BE-në dhe për shtetet e anëtare. Kjo diskutohet edhe sot në Bruksel edhe nuk ka kurrfarë dyshimi për këtë kur të bisedosh me zyrtarët në Berlin, Paris apo Bruksel”, tha Shahini.
Shahini thotë se edhe nëse demarkacioni kalon atëherë shtetet anëtare të BE-së vendosin se a do të ketë liberalizim për Kosovën a jo. Sipas saj shtetet si Belgjika, Franca e Suedia ende frikësohen nga numri i azilkërkuesve nga Kosova.
Emisioni “Përballje” është bashkëprodhim i gazetarit Muhamet Hajrullahu me Telegrafi.com për Radiotelevizionin Dukagjini. /Telegrafi/