Kombëtarja e Argjentinës ka barazuar ndaj Islandës me rezultat 1-1 në ndeshjen e parë të grupeve në Kupën e Botës “Rusia 2018”.
Argjentina është ndalur me barazim nga Islanda në ndeshjen e vlefshme për Grupin D, rezultat ky që i ka befasuar të gjithë.
Kombëtarja latine kishte mundësi të shënuar fitore, por ylli i skuadrës, Lionel Messi humbi një penallti në minutën e 64-të.
Humbja e kësaj penalltia nga Messi u kritikua nga shumë njerëz, por jo edhe nga bashkëlojtari i tij Sergio Aguero, i cili ka thënë se edhe ai është njëri si të gjithë.
“Leo është normal, ai është njeri”, ka thënë fillimisht sulmuesi i Manchester Cityt për TyC Sports.
“Sot [e shtunë] ne duhet të jemi me të, ne e dimë se në çdo moment ai mund të vendos një ndeshje”.
“Ndeshja e parë është gjithmonë e vështirë, Argjentina dëshiron të fitojë kundër të gjithëve”.
“Shpresoj që ndeshja ndaj Kroacisë të jetë më e mirë”, përfundoi Aguero. /Telegrafi/