Lajmi se Agron Llakaj do të largohej nga “Portokalli” bëri bujë në vitin 2010, ndërsa asokohe u përfol se humoristi e la spektaklin e humorit për programin “Kush do të bëhet milioner” që filloi asokohe në Klan.
I ftuar në emisionin “Xing me Ermalin”, Llakaj ka rrëfyer për herë të parë pse u largua nga “Portokalli” dhe shkaqet që e çuan në këtë vendim.
“Unë nuk e lashë Portokallinë për Klanin. Thanë që Agroni u pagua etj… Artisi nuk bën dot kompromis me profesionin e vetë dhe me veten. Si i tillë unë kërkoja të lëvizja”.
“Unë ofrova diçka për ndryshim, por mendimi im nuk u përqafua dhe prej momentit kur nuk prodhon më vlerë e kthehet në një lloj monotonie, mirë është që të largohesh. Unë nuk kam pranuar ndonjëherë që të jem i varur në çengel që dikush të më lëvizë majtas apo djathtas”.
“Isha i ftuar nga Ardit Gjebrea në ‘Kënga Magjike’ dhe për të qenë brenda marrëdhënies dhe etikës artistike e njoftova regjisorin Altin Bashën. Nuk i mora leje, por e informova. Mbrëmjen e asaj të shtune dola te ‘Kënga Magjike’. Të nesërmen që ishte Portokallia në transmetim shoh unë ishin hequr të gjitha materialet e mia”.
“Aty kuptova që unë isha i dënuar. Të hënën në mëngjes më thërriti drejtori i përgjithshëm i Top Channel dhe më tha: ‘Nga ky moment e mbrapa deri sa të mbarosh kontratën deri në fund të dhjetorit do jesh thjesht drejtor artistik dhe nuk do dalësh në skenë’. I thashë: ‘Jeta ime është e lidhur me skenën, drejtorin mbajeni për veten tuaj dhe u largova’”.
“Ata më respektuan, më mbajtën dy rroga”, citon Xing.al fjalët e Agron Llakajt.