Ansi Agolli ka vijuar të bëjë paraqitje dinjitoze me ekipin e tij Qarabag sidomos në Kupat e Evropës, pasi fitoi edhe titullin kampion në Azerbajxhan.
Kjo duket se e detyroi trajnerin Christian Panucci që të rikthejë Agollin në linjën e majtë edhe në saj të eksperiencës që ka.
Kapiteni Ansi Agolli, gjatë konferencës për shtyp ka folur për rikthimin dhe të ardhmen:
“Sa herë që kombëtarja ka nevojë për ne, duhet që të jemi gati. Çdo futbollist shqiptar duhet të jetë gati sa herë e thërret kombëtarja dhe të bëj maksimumin. Si në fushë, si jashtë fushe duhet që të jemi të bashkuar për të dhënë më të mirën. Të them të drejtën, nuk më duket si rikthim, më duket sikur kam një jetë në këtë skuadër, thuajse i njëjti grup me disa prurje të reja”.
“Ne duhet të japim ndihmën tonë për lojtarët e rinj, por edhe ata duhet që të japin maksimumin që të fitojnë vendin. Ne të gjithë bashkë duhet të japim më të mirën nesër. Nuk është moment që të kujtojmë dy humbjet, duhet të mendojmë për ndeshjen që luajmë nesër. Shpresoj që grupi të ketë marrë mësime dhe të luajmë ndryshe ndaj Izraelit”.
“Unë mendoj se është pak herët që të mendojmë fundin dhe objektivin. Nesër nisim një rrugëtim tjetër dhe objektivi i parë është që nesër të bëjmë një paraqitje shumë të mirë dhe pse jo, të fitojmë ndeshjen. Do të shohim nga ndeshja në ndeshje dhe pastaj të mendojmë për objektivin madhor. Kemi një eksperiencë jo të mirë duke krahasuar me ndeshjen e fundit me Izraelin në Shqipëri”.
“Në atë ndeshje ndikuan shumë faktorë. U munduam në atë takim të jepnim maksimumin, u ndëshkuam me karton të kuq dhe penallti që në minutat e para. Sërish në pjesën e dytë pati karton të kuq dhe nuk dolëm aty ku duhej. Nesër është një ndeshje krejt ndryshe dhe ne duhet që të mendojmë pozitivisht”, ka deklaruar Agolli në konferencën për shtyp.