Telegrafi

Agnelli: Morëm vendimin e përbashkët me Allegrin, ai ka shkruar historinë e Juventusit

Massimiliano Allegri nuk do të jetë më trajner i Juventusi, pasi tekniku toskan do t’i drejtojë vetëm edhe dy ndeshjet e fundit të bardhezinjve.

E në konferencën e lamtumirës me trajnerin italian kishte dalë edhe presidenti i Juventusit Andrea Agnelli si dhe gjithë lojtarët që po e ndiqnin nga afër konferencën.

Numri një i bardhezinjve në fillim i ka bërë të qartë gazetarëve të pranishëm se nuk dëshiron pyetje për trajnerin e ri.

Ai tha se ka dalë në konferencë vetëm për ta respektuar Allegrin, pasi sipas presidentit trajneri ka shkruar një pjesë të historisë së Juventusit.


“Jam shumë i lumtur që e shoh gjithë skuadrën këtu. Nuk dua asnjë pyetje për trajneri e ri, pasi kam ardhur për ta nderuar dhe respektuar Allegrin. Një trajner që shkroi historinë me Juventusin. Allegri ka arritur shumë suksese dhe kanë qenë pesë vite të magjishme për mua”, tha Agnelli.


Pas eliminimit të Juventusit nga Liga e Kampionëve, ishte vet Agnelli që tha se do të vazhdonin me trajnerin italian, por ai deklaroi tani se kanë reflektuar dhe se ka qenë vendim i përbashkët.

“Kam qenë i sinqertë kur kam thënë se dua të vazhdojmë me Allegrin, por gjatë kësaj kohe kemi reflektuar të gjithë. Nuk ka qenë vendim personal, por i përbashkët me trajnerin”, u shpreh Agnelli.


Me Allegrin në krye, Juventusi ka fituar pesë vite radhazi titullin e kampionit në Serie A, si dhe kanë marrë katër herë Kupën e Italisë dhe tri herë Superkupën. /Telegrafi/