Sulmet, fyerjet dhe linçimet e zyrtarëve të partisë në pushtet, Vetëvendosje kanë vazhduar me intensitet edhe ditën e enjte.
Kështu kanë thënë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) përmes një reagimi në rrjetin social në Facebook.
Ata po ashtu kanë thënë se disa asamblist dhe aktivist të LVV-së janë duke përdorë gjuhë denigruese dhe linçuese.
“Një asamblist i kësaj partie në Prizren, Selman Sokoli, duke iu referuar gazetarëve të Nacionales dhe Periskopit, ka shkruar ‘këta i paskan dresiratë si zagartë’.
Fahri Beqa, i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani, ka shkruar në Facebook: ‘Radojçiqi e Vuçiçi të dhanë paratë’, duke iu referuar një lajmi për Ilir Mirenën – drejtues i portalit ‘Periskopi’.
Qëndrim Krasniqi, i Lëvizjes Vetëvendosje në Britani të Madhe ka shkruar se: ‘portalet po e sulmojnë RTK-në në kor’, me urdhër të Radojçiqit”, kanë shkruar nga AGK.
Tutje ata thanë se kjo gjuhë denigruese dhe linçuese, po i vë seriozisht në rrezik të gjithë gazetarët që punojnë në këto dy media, dhe është koha e fundit që Vetëvendosje dhe njerëzit e saj të ndalën nga kjo praktikë e rrezikshme dhe papranueshme. /Telegrafi/