Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) sot përmes një reagimi për media ka shprehur shqetësim me zhvillimet që lidhen me nisjen e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Në reagim thuhet se paralajmërimi për bojkotin e disa prej televizioneve kryesore në vend, si Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7, nga ana e partisë në pushtet, Vetëvendosje, është një zhvillim që shkon kundër transparencës dhe përpjekjeve për të minuar rolin e gazetarëve dhe mediave për të mbajtur përgjegjëse partinë që ka udhëhequr Kosovën për 4 vjet për politikat e saj.
“E ftojmë Lëvizjen Vetëvendosje që ta rishqyrtojë pozicionin e saj dhe t’u ofrojë mediave qasje të barabartë në fushatë.
Mediave duhet t’u mundësohet që në mënyrë të barabartë të paraqesin programet e të gjitha subjekteve politike që garojnë, pasi puna e tyre është në interes të publikut. Bojkoti i paralajmëruar paraqet goditje të qëllimshme ndaj pluralitetit medial që e shquan Kosovën dhe është vazhdimësi e një sërë veprimesh të kësaj qeverie dhe të Lëvizjes Vetëvendosje të drejtuara kundër gazetarëve dhe mediave në Kosovë.
AGK-ja gjithashtu dënon targetimin e vazhdueshëm që zyrtarët e Vetëvendosjes bëjnë ndaj gazetarëve dhe mediave, duke përfshirë postimin e sotëm të zëdhënësit Arlind Manxhuka, i cili, mes tjerash, cilëson mediat edhe si ‘institucione paralele’. Kjo gjuhë e rrezikshme është e papranueshme dhe vështirëson klimën për ushtrimin e gazetarisë në Kosovë”, thuhet në reagimin e AGK-së. /Telegrafi/