Telegrafi

AGK dhe organizatat e lirisë së medias: Të ndalet presioni politik për largimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i është bashkuar shqetësimit të organizatave evropiane dhe ndërkombëtare të lirisë së medias, pjesë e Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës, rreth atyre që i quajnë përpjekje për ndërhyrje politike në shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Transmetuesit Publik, RTK.

Organizatat evropiane dhe ndërkombëtare të lirisë së medias, pjesë e Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës në një letër të hapur për Bordin e RTK-së kanë thënë se janë të shqetësuara në lidhje me zhvillimet në transmetuesin publik.

“Ne jemi të shqetësuar me krizën në RTK lidhur me presionin politik që po bëhet për largimin e drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj. Kjo temë është ngritur për herë të parë nga Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon-Taubadel me 15 janar 2024, ku ajo përmend përpjekjet për të zëvendësuar drejtorin aktual me një individ pro- qeverisë”, thuhet në letër.

Organizatat evropiane kujtojnë që çdo ndërhyrje politike në menaxhmentin e Transmetuesit Publik do të ishte thellësisht jodemokratike.

“Ahmetxhekaj është emëruar Drejtor i Përgjithshëm nga Bordi juaj në vitin 2022, për një mandat tre-vjeçar nëpërmjet një procedure të hapur dhe pluraliste, dhe i ka udhëhequr reformën dhe transformimet në RTK. Procesi i emërimit është vlerësuar si i bazuar në merita nga Bashkimi Evropian dhe OSBE, dhe është mirëpritur nga organizatat ndërkombëtare dhe ambasadat e huaja në Kosovë”.

Organizatat e lirisë së mediat poashtu kujtojnë se duke marrë parasysh aplikimin e Kosovës për t’u bërë vend anëtar i Këshillit të Evropës, kjo organizatë beson se transmetuesi i pavarur publik është themeli i demokracisë, dhe kontribuon në forcimin e kohezionit social.

“Ekzistimi i një transmetuesi publik profesional dhe të pavarur është gjithashtu kërkesë në rrugën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Së fundi, vendime të tilla janë të rëndësishme edhe në procesin e RTK-së për të marrë pjesë në Festivalin e Këngës Eurovision” thuhet mes tjerash në letër./Telegrafi/