Telegrafi

Agjenti i Ronaldos nuk konfirmon largimin e portugezit, por lë të kuptohet se një gjë e tillë mund të ndodh

Agjenti i Cristiano Ronaldos, Jorge Mendes, ka folur për të përditshmen portugeze Record rreth shanseve të  lojtarit për të nënshkruar me Juventusin.

Gjatë ditëve të fundit është folur shumë për një transferim të Ronaldos te Zonja e Vjetër për një shifër prej 100 milionë eurosh.

Largimi i sulmuesit portugez nga Real Madridit thuhet se po vjen pas pakënaqësive të Ronaldos në lidhje me tretmanin që po i bënë klubi.

Megjithatë, agjenti Mendes nuk konfirmoi nëse Cristiano do të largohet nga Real Madrid këtë verë, por ka lënë të kuptohet se ekziston mundësia që sulmuesi të jetë gati për një ndryshim në karrierë.

Cristiano Ronaldo (Getty Images)

“Nëse ky ndodh [largimi], do të ishte vetëm që të fillonte një fazë të re në karrierën e tij, për të pasur një sfidë të re në atë që ka qenë një karrierë e shkëlqyer”, ka thënë fillimisht Mendes për Record.

“Nëse Cristiano Ronaldo largohet nga Real Madridi, ai do të jetë përjetësisht mirënjohës për gjithë klubin, për presidentin, të gjithë drejtorët e klubit, stafin mjekësor dhe çdo punonjës të klubit pa përjashtim”.

“Ai do të jetë mirënjohës natyrisht edhe për të gjithë madridistët kudo që të jenë në të gjitha pjesët e botës”, përfundoi agjenti i Ronaldos.

Ndryshe, edhe ish-skuadra e tij Manchester United ka shprehur dëshirë për të rikthyer yllin portugez në Old Trafford dhe po shikon të gjitha munësitë për ta bërë një gjë të tillë. /Telegrafi/