Agjenti i trajnerit gjerman, Julian Nagelsmann, Volker Struth ka goditur ashpër bashkëpronarin e Chelseat, Todd Boehly në lidhje me refuzimin e ofertës nga Blutë.
Trajneri i shkarkuar i Bayern Munichut zhvilloi bisedime me Chelsean për punën e trajnerit të Bluve, por përfundimisht u tërhoq nga gara pasi mësoi se ai ishte një nga disa kandidatë që po konsideroheshin.
Mauricio Pochettino tani është vendosur të marrë drejtimin e Stamford Bridge dhe së fundmi për situatën e Nagelsmann ka folur agjenti i tij.
“Mund të konfirmoj se Chelsea ishte i shpejtë për të thirrur Nagelsmann pas largimit nga Bayern. Pati disa biseda telefonike”, ka thënë fillimisht Struth për Bild.
“Ishte vendimi i duhur për të mos shkuar atje. Është një klub në ujëra të trazuara për momentin”.
“Dhe politika e tyre e transferimeve, duke shpenzuar qindra miliona euro, ka rritur pritshmëritë që duhen përmbushur. Kishte edhe disa çështje të tjera”.
“Nagelsmann ishte zgjedhja numër 1 e tyre, ky ishte informacioni ynë, besoj se do të kishte ndodhur nëse do ta kishte dashur”, përfundoi agjenti i trajnerit gjerman. /Telegrafi/