Agjenti i Elseid Hysaj, Mario Giuffredi ia ka dhënë meritar trajnerit të Napolit, Gennaro Gattuso, për “kthimin e besimit” të lojtarit pas një kohe jo të mirë nën urdhrat e Carlo Ancelottit.
Mbrojtësi shqiptar pritet të largohet gjatë verës, pasi ishte shumë afër të largohej në mes të sezonit sa trajner ishte Ancelotti, por gjithçka ndryshoi me ardhjen e Gattusos.
Këtë e ka konfirmuar agjenti i Hysaj, Guiffredi, i cili ka thënë se kthimi i besimit dhe formës ka ardhur falë trajnerit të ri.
“Hysaj është rikthyer në standardet e tij të mëparshme të larta dhe kjo është për shkak se Gattuso po i jep përsëri besim, elementi më i mirë për ta bërë një lojtar të japë realisht potencialin e tij”, ka thënë fillimisht Giuffredi për Radio Marte.
“Hysaj ka dëshmuar se ai është akoma i njëjti lojtar që ishte shumë i suksesshëm nën drejtimin e Maurizio Sarrit”.
26-vjeçari është nën kontratë vetëm deri në qershor të vitit 2021 dhe një rinovim duket i pamundur për momentin.
Bisedimet janë edhe më të vështira pas pandemisë së coronavirusit, megjithëse lojtarët thuhet se do të lejohen të rifillojnë stërvitjen nga 4 maji.
“Lojtarët duan të kthehen atje me çdo kusht, sepse kjo është puna e tyre. Është e vështirë të qëndrosh në shtëpi për dy muaj, kështu që do të duhet një muaj për t’u rikthyer në formë”.
“Ekziston rreziku i dëmtimeve të rënda, kështu që unë mendoj se propozimi i pesë zëvendësimeve është një ide e shkëlqyer, veçanërisht në nxehtësinë e verës”, përfundoi agjenti i njohur. /Telegrafi/