Telegrafi

“Agjenti Felix”, portugezi pohon se e ka bindur yllin e Man Cityt të transferohet tek Barcelona

Ylli i Barcelonës, Joao Felix, ka dhënë një intervistë së fundmi për një radio katalunase ku ka zbuluar ndër të tjerash se ai e ka ‘bindur’ yllin e Manchester Cityt dhe bashkëkombasin e tij Bernardo Silva, që të transferohet tek Barcelona.

“Nëse Bernardo Silva vjen tek Barcelona, unë do t’i kërkojë klubit një komision. Gjithçka që kam thënë për të është e vërtetë dhe nëse vjen, ata do të jenë të lumtur me të”.

“Ai më ka pyetur për vende për të jetuar, vende për të ngrënë ushqim, dhe për sigurinë. Ai më ka pyetur pak për gjithçka”.

“Nëse e kam bindur atë? Mendoj se po, mendoj se po, por nuk varet e tëra nga ai”, është shprehur Felix.

Kjo deklaratë e Felixit shton edhe më shumë zërat për kalimin e Silvas tek blaugranasit, sidomos duke marrë parasysh raportimet e mëhershme që thonin se Barcelona ‘ëndërron’ për transferimin e tij.

Lexo po ashtu Djali i Ronaldinhos poshtërohet nga Barcelona, detyrohet të punojë si kameraman

Siç është transmetuar në media, besohet se Silva ka një klauzolë e cila e lejon Barcelonën ta transferojë atë për shumën e 50 milionë eurove këtë verë, megjithatë, blaugranasit duhet të bëjnë disa shitje fillimisht, për ta përballuar koston e transferimit të tij.

29-vjeçari këtë sezon ka kontribuar direkt në 14 gola në 39 paraqitje gjithsej për Manchester Cityn në të gjitha garat./Telegrafi/