Site icon Telegrafi

Ende nuk ka pajtueshmëri për agjendën e takimit të radhës mes Kurtit e Vuçiqit

Agjenda e dialogut Kosovë-Serbi pritet të dakordohet para takimit të dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

Megjithëse, parimisht është pajtuar 25 korriku si datë, në partinë në pushtet thonë se ajo duhet të konfirmohet pasi në takim ka pasur dallime mbi vijueshmërinë e diskutimeve.

Ndërsa, njohësit e procesit të dialogut thonë se para takimit Kurti-Vuçiq duhet të ketë një takim të rangut më të ulët për përgatitjen e këtij takimi dhe pajtueshmërinë e kornizës së negociatave.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni thotë për KosovaPress, se takimi i parë i kryeministrit Kurti me palën serbe ka dëshmuar qasjen ndryshe të tyre për dialogun me Serbinë.

“Qëndrimi dhe pozicionimi i kryeministrit në dialogun me Serbinë ka qenë mjaft i qartë dhe ka treguar se ne jemi të gatshëm të tregohemi konstruktiv, derisa jemi brenda kornizave që ne konsiderojmë se nuk duhet të dalim. Prandaj vet qëndrimi i Albin Kurtit si kryeministër dhe propozimet që i ka nxjerr, tregon që ne e kemi qasje ndryshe dhe po dëshirojmë t’i qasemi ndryshe nga të tjerët. Prandaj kemi shkuar edhe propozime të reja dhe jo të vazhdojmë aty ku kanë mbetur dhe kanë lënë të tjerët. Parimisht janë dakorduar që të mbetet 25 korriku data kur do të jetë takimi i radhës, megjithatë e dimë që nuk ka një konfirmim se nuk ka pasur pajtueshmëri për agjendën që pritet të jetë pjesë e dialogut”, thotë ajo.

Nevojën për një takim paraprak ndërmjet palëve, para atij të dy krerëve të shtetit e thotë drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha.

Ai për KosovaPress thotë se takimi mund të jetë i një rangu më të ulët politikë për ta vendosur kornizën e negociatave gjatë muajve në vijim.

“Kjo pastaj do të hapte rrugë që në nivel teknik, të fillojnë në nivel diplomatik negociatat për një gamë çështjesh teknike dhe thelbësore që përbëjnë mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky raund negociatash pastaj diplomatike do të ishte le të themi përgatitje e terrenin për takimin e ardhshëm Kurti-Vuçiq, ku dy liderët do të mund të konfirmonin negociatat diplomatike, ose të mbyllnin një raund të dakordimeve që janë bërë, ose të përmbyllin gjithë raundin negociator”, thotë Shasha.

Por, para këtij takimi të dytë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq, profesori universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti thotë se duhet të hartohet një platformë për dialogun në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk ka dilemë që kjo çështje është e ndjeshme dhe fjalën e fundit duhet të ketë Parlamenti i Kosovës, vendi ku mishërohen qëndrimet pro dhe kundër. Hartimi i një platforme dhe miratimi i saj nga parlamenti është domosdoshmëri sepse miratimi i saj do të paraqiste bazamentin e ecjes përpara të ekzekutivi kosovar”, thotë ai.

 

Të martën e kësaj jave u takuan për herë të parë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq. Në Bruksel kryeministri Kurti i paraqiti katër propozime për vijueshmërinë e dialogut, por të njëjtat u refuzuan nga pala serbe.

Exit mobile version