Site icon Telegrafi

Agjencia për Përdorimin e Gjuhëve: Gjatë punësimit janë ndjekur kriteret, janë punësuar dy maqedonas

Nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve ka reaguar ndaj akuzave të Aleancës për Shqiptarët dhe Arben Taravarit për punësimet në këtë agjenci.

Për t’i flakur të pavërtetat e tij, jemi të detyruar t’i marrim me radhë dhe t’i sqarojmë për hir të qytetarëve.

“Pa dashur të bëjmë avokatin e BDI-së, Taravari e ngatërron emërimin dhe punësimin. Pra, mund të emërohet një funksionar, bie fjala një ministër, një drejtor, por në këtë rast është fjala për punësim dhe jo për emërim!

Është e pavërtetë kur thotë se janë emëruar maqedonas të përkujdesen për gjuhën shqipe. Por, edhe sikur të ishte e vërtetë kjo gjë, çfarë të keqe do të kishte që fundja edhe maqedonasit të kujdesen për gjuhën shqipe?! Përkundrazi, do të ishte një nder i madh për të gjithë ne. Ka plot maqedonas që kanë mbaruar për gjuhë shqipe dhe janë shumë solidë në punën e tyre”, thuhet në deklaratë.

Nga atje thonë se Agjencia nuk bën kurrfarë kontrolli, as auditimi, por vetëm u ndihmon institucioneve në zbatimin e ligjit, përkthen dhe lekturon tekste zyrtare, shkresa, akte, dokumente, përgatit raporte për nevojat e qeverisë, jep sqarime dhe udhëzime profesionale, përkujdeset për drejtshkrimin e gjuhës shqipe, bën avancimin e saj etj. Ndërkaq, kontrollin dhe sanksionimin do ta bëjë së shpejti Inspektorati.

“Ai (Taravari) duhet ta ketë të qartë Balancerin etnik që është një detyrim ligjor, të cilin e zbaton edhe vetë në Komunën që e udhëheq. Për të funksionuar një institucion, nevojiten edhe shumë struktura të tjera, duke filluar nga shërbimet teknike, administrative, juridike, financiare etj. Natyrisht, të drejtë konkurrimi dhe punësimi kanë të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, por është çështje tjetër pastaj se cili prej tyre i plotëson kushtet ligjore. Në Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës janë ndjekur pikërisht këto kritere. Dhe, për sa i përket kësaj, nuk ka pasur asnjë keqkuptim prej askujt. E vërteta është se në këtë agjenci janë të punësuar vetëm dy maqedonas, të tjerët janë të gjithë shqiptarë”, thuhet në reagimin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve.

Lexo po ashtu Aleanca për Shqiptarët reagon për punësimin e maqedonasve në Agjencinë për zbatimin e gjuhëve

Dje nga Aleanca për Shqiptarët akuzuan se kjo Agjencia ka punësuar maqedonas për kontrollimin e zbatimit të gjuhës shqipe./Telegrafi/

Exit mobile version