Site icon Telegrafi

Agjencia për Informim dhe Privatësi gjobit Komunën e Podujevës, publikoi të dhënat e përfituesve të subvencioneve

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka dënuar me gjobë Komunën e Podujevës për përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale. Deri te kjo erdhi pasi Komuna e Podujevës kishte të publikuar në uebfaqe listën me të dhëna personale të qytetarëve, të cilët kanë fituar subvencione, që përfshijnë periudhën nga viti 2017 deri në vitin 2022.

Pas përfundimit të procedurave inspektuese, AIP ka konstatuar se Komuna e Podujevës ka publikuar lista në përmbajtje të të cilave kanë qenë: emri, mbiemri, numri personal, numri i telefonit, vendbanimi dhe shumën e përfituar.

“Përmes publikimit të këtyre të dhënave, e njëjta ka përpunuar të dhëna personale në kundërshtim me nenin 4 dhe 5 të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe me këtë ka kryer kundërvajtje nga neni 92, paragrafi 1 i Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në komunikatën e AIP.

Andaj, Agjencia për Informim dhe Privatësi, ka shqiptuar gjobë kundërvajtëse ndaj Komunës së Podujevës, për përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale.

Me këtë rast, AIP bënë thirrje tek të gjithë kontrolluesit publikë dhe privatë, që përpunimin e të dhënave personale të bëjnë në mënyrë të ligjshme, në të kundërtën Agjencia për Informim dhe Privatësi, në bazë të kompetencave ligjore është e detyruar të ndërmarrë veprimet dhe masat e duhura deri tek shqiptimi i gjobave për mos respektim të dispozitave të parapara në ligj. /Telegrafi/

Exit mobile version