Telegrafi

Agjencia Kundër Korrupsionit ngritë kallëzim penal kundër kryeprokurorit të Speciales, Blerim Isufaj për raportim të rremë të pasurisë

Agjencia Kundër Korrupsionit ka parashtruar kallëzim penal kundër Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, për veprën penale raportimi i rremë i pasurisë.

Lajmin e ka konfirmuar Agjencia Kundër Korrupsion.

“Agjencia kundër Korrupsionit ka përcjell kallëzim penal kundër Blerim Isufaj, vepra penale nga neni 430 paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës, me datë 15.02.2022 në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë Kundër Korrupsion.

I kontaktuar nga betimiperdrejtesi, kryeprokurori Blerim Isufaj nuk ka pranuar të komentoj kallëzimin penal të ngritur kundër tij.

“Le t’i kallzon krejt Agjencia, une s’kom nevojë me komentu”, ka qenë përgjigja e shkurtë e Isufajt, pas të cilës përgjigje e ka mbyllur telefonin.

Këshilli Prokurorial i Kosovës më 15 shkurt 2022, ka miratuar listën e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, në të cilën është edhe Blerim Isufaj, aktualisht Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale dhe ish-kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës.