Vaksina e firmës amerikane “Moderna” është arma më e re që do i shtohet arsenalit të Bashkimit Evropian për të luftuar pandeminë e COVID-19.
Agjencia Evropiane e Barnave njoftoi të mërkurën se ka dhënë autorizimin për përdorimin e saj në publikun e gjerë mbi moshën 18 vjeç.
Unioni ka porositur 160 milionë doza nga 1 miliard që parashikon të prodhojë kompania këtë vit, dhe të parat pritet të mbërrijnë në Evropë nga java e ardhshme.
Në provat klinike me 30 mijë vullnetarë, vaksina e “Moderna”-s ka rezultuar 94,1 për qind efikase dhe e sigurt në reduktimin e simptomave të kovidit-19, pavarësisht gjinisë apo racës së tyre.
Efikasiteti është vërejtur edhe në afro 91 për qind të persona më të rrezikuar nga virusi, ata që vuajnë nga sëmundjet e mushkërive, të zemrës, te obezët apo ata me diabet.
Agjencia Evropiane e Barnave shtoi se efektet anësore të vaksinës largohen brenda pak ditëve, siç janë dhembja dhe enjtja e vendit ku bëhet vaksina, dhembjet muskulore, temperatura ose të përzierët që mund të ndjejë pacienti.
Njësoj si vaksina anti-covid e kompanisë “Pfizer” që BE-ja po përdor nga muaji dhjetor, vaksina e “Moderna”-s jepet në dy doza dhe me diferencë 28 ditë nga njëra-tjetra.
Produkti i kompanisë amerikane është autorizuar për përdorim më parë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada dhe Izrael.
Amerika dhe Izraeli udhëheqin listën e vendeve që kanë imunizuar më shumë banorë kundër Covid-19, ndërkohë që Evropa po kritikohet për ritmin e ngadaltë të vaksinimit.
Në tri javë fushatë, rreth 5 mijë të vaksinuar janë francezë, gati 140 mijë spanjollë, rreth 200 mijë italianë, më shumë se 300 mijë gjermanë, dhe në Britani, gati 1 milion persona janë vaksinuar kundër coronavirusit të ri.