Para në vlerë 1,523.58 euro, 30 euro kartela mbushëse telefonike dhe kopjet fizike të planeve arkitektonike të objekteve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, janë disa nga gjësendet që kanë qenë në kasafortën e vjedhur në këtë agjenci.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.
“Arka metalike në momentin qe është vjedhur ka pasur brenda, para në vlerë 1,523.58 euro dhe 30 euro kartela mbushëse telefonike (10×3.00=30.00 euro). Po ashtu aty kanë qen të vendosura kopje fizike të planeve arkitektonike dhe të inxhinierisë të objekteve të AUV-së, (planet e objekteve ekzistuese për tri objektet dy Laboratorët dhe ndërtesa e administratës qendrore). Këto plane shfrytëzoheshin për mirëmbajtjen e objekteve në raste të prishjes apo defekteve teknike qe paraqiteshin. Arka përdorej për ruajtjen e parave të imta (kesh) për nevoja të pagesave të ndryshme me vlerë deri në 100 euro”, tha Thaçi, përcjell Telegrafi.
Ai ka treguar se si pasojë e hyrjes me forcë, janë dëmtuar dritarja dhe tri dyer të zyrave.
“Më datën 22.10.2020, ora 8:00 e mëngjesit koha kur edhe fillon orari i punës, zyrtaret e tri zyrave i kanë gjetur dyert e hapura në objektin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, objekti qendror i administratës. Menjëherë zyrtaret kanë raportuar dhe është njoftuar Policia. Objekti ka qen duke u ruajtur dhe nën vëzhgimin e kamerave. Pas shikimit të hapësirave është vërejtur se e vetmja gjë qe mungon ka qen arka. Të dëmtuara fizikisht me force janë dritarja nga dyshohet sa kanë hyrë vjedhësit dhe tri dyer të zyrave. Nga të cilat shihet se hyrja në objekt ka qen me anë të forcës apo thyerjes”, ka treguar ai.
Kryeshefi i AUV-it, Naser Krasniqi në një konferencë për medie kishte thënë se ka pasur një ndërhyrje e paautorizuar, e cila dyshohet se është bërë nga pjesa e pasme e ndërtesës.
“Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit ka pasur një ndërhyrje gjatë natës së mbrëmshme, diku rreth orës 00:00 deri 04:00, kështu është bërë një ndërhyrje e paautorizuar. Dyshohet se ndërhyrja është bërë nga pjesa e pasme e ndërtesës. Me këtë është duke u marr policia, ku çdo informatë tjetër mund të ndërhyjmë në pjesë e policisë, kështu që kjo e fundit të merret me rastin nuk mund të japim diçka më tepër. Nuk ka ndonjë informatë për të arrestuar, shumë shpejtë do ta keni raportin e policisë”, kishte thënë Krasniqi.
Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka thënë se ka nisur hetimet lidhur me rastin e vjedhjes së kasafortës në AUV. /Telegrafi/