Site icon Telegrafi

“Agim, ku mbetën fjalët?”, pyesin qytetarët e Mitrovicës

Kishte premtuar se Mitrovica do të bëhet qyteti më i pastër në Kosovë, që ishte vetëm njëri nga premtimet megalomane të kryetarit Agim Bahtiri, gjatë fushatës elektorale në fund të vitit 2013.

Mirëpo, edhe pas gati 2 vitesh, përveç se nuk ka asnjë shenjë se do të realizojë ndonjërin nga premtimet e tij, qyteti i Mitrovicës mbetet qyteti me siguri më i ndotur në vend.

Qytetarët shprehen të shqetësuar tej mase me papastërtinë në këtë qytet, përderisa kryetari Bahtiri, sikur edhe në fushatë, vazhdon me premtimet e tij të fuqishme.

Sadik Deliqi, ka fajësuar në një masë edhe vetë qytetarët për bërllokun në qytet, duke hedhur megjithatë fajin kryesor te Komuna dhe kryetari i saj.

Edhe Xhafer Ademi, qytetar nga veriu i Mitrovicës, i cili thotë se jeton si refugjat në pjesën jugore, e ka përshkruar gjendjen e papastërtisë në qytet njëjtë sikur gjatë kohës së luftës.

Sipas tij, në qytet nuk mund të shihet gjë tjetër përveç mbeturinave dhe gërmadhave.

“Pjesën jugore e kanë mbuluar mbeturinat, i kanë shkatërruar rrugët të gjitha, tjetër gjë nuk shihet në qytet vetëm mbeturina dhe gërmadha, si me qenë në vakt të luftës”, theksoi Ademi.

E Ramadan Arifi, gjendjen e papastërtisë nëpër rrugët e qytetit të Mitrovicës e ka përshkruar si alarmante.

Sipas tij, punëtorët e “Unitetit” edhe kur ta mbledhin bërllokun nga kontejneri, mbeturinat nëpër tokë nuk i pastrojnë fare, por i lënë me ditë të tëra në atë vend.

Ai u shpreh i habitur me indiferencën e organeve gjegjëse komunale, ndërsa tregoi se banorët e këtushëm disa herë kanë bërë ankesa rreth këtij problemi, por pa ndonjë rezultat.

Lidhur me këto ankesa të qytetarëve, drejtori komunal për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Blerim Baruti, duke mos përjashtuar një pjesë të përgjegjësisë të Komunës, fajin kryesor e ka hedhur tek Kompania për Hedhjen e Mbeturinave “Uniteti”, duke e arsyetuar këtë të fundit se nuk po arrin t’i mbledh taksat nga qytetarët.

“Kohët e fundit punëtorët atje kanë telashe, që tre muaj ata janë pa paga – është muaji i katërt, dhe sigurisht se shqetësimet e menaxhmentit aty janë në drejtim të funksionalizimit sepse nuk kanë as të holla për derivate. Kjo është përgjigjja e tyre edhe pse jemi gjithmonë në bashkëpunim që të krijohen kushte sa më të mira”, thotë mes tjerash Baruti.

Ai zgjidhjen e këtij problemi e sheh në pagesën e borxhit dhe taksave nga ana e qytetarëve, duke theksuar se vetëm kështu kjo Kompani mund të funksionalizohet.

I pyetur nga KosovaPress nëse Komuna i ka borxh kësaj Kompanie dhe a do të ndikonte kthimi eventual i këtij borxhi në përmirësimin e gjendjes së rëndë financiare tek punëtorët e “Unitetit”, drejtori Baruti ka pranuar se Komuna ka një borxh ndaj Kompanisë në fjalë, duke mos precizuar shumën e saktë.

Ndërkaq, burime të KosovaPress-it brenda Kompanisë “Uniteti” kanë bërë të ditur se vetëm borxhi aktual i Komunës ndaj kësaj Kompanie kalon shifrën prej 55 mijë euro, që nëse do të kthehej, pa dyshim se do ta ndihmonte Kompaninë në funksionimin e saj normal. /Telegrafi/

Exit mobile version