Telegrafi

Agim Bahtiri thotë se Shakira do të performojë në ceremoninë e hapjes së urës mbi Ibër

Shakira, Agim Bahtiri (Foto: Getty Images/Guliver/Telegrafi)

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se këngëtarja e famshme botërore, Shakira, do të vijë dhe të performojë në ceremoninë e hapjes së urës mbi Ibër dhe ura do ta mbajë emrin e saj.

Në emisionin Imazh të RTK-së, ai citohet të ketë thënë se ajo do ta bëjë këtë me gjithë dëshirë dhe se nuk do të ketë nevojë të paguhet, pasi që do të vijë për ta promovuar paqen.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri (Foto: Telegrafi)

Duke folur për hapjen e kësaj ure, ai ka ripërsëritur se kushti i Goran Rakiqit, për ndryshim të kufijve kadastral me hapje të urës, nuk do të merret parasysh, dhe po pret që obligimi për hapjen e urës të zbatohet.

Siç transmeton RTK, ai e ka ftuar kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, që në vend që ta qortojë atë, kritika t’i japë Goran Rakiqit dhe të bëjë presin të bashkësia ndërkombëtare që ura të hapet.

Lexo po ashtu Lajmet për Shakiran

Bahtiri ka folur edhe për zhvillimet politike, duke thënë se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë, pasi që sipas tij asnjë parti politike nuk është në pozitë që të kërkojë zgjedhje, dhe krejt deklarimet për këtë punë ai i ka quajtur të kota.

Shakira (Foto: Noam Galai/Getty Images/Guliver)

Thashethemet për mundësinë e ardhjes së Shakiras në Kosovë u përhapën para disa ditësh, kur ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, kishte njoftuar se ka zhvilluar takim me Bahtirin, me ç’rast kanë diskutuar edhe për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.

Pacolli kishte thënë se kishin ka bashkëbiseduar me kreun e Mitrovicës për të realizuar një ceremoni të veçantë për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë, datë historike kjo e shumëpritur për gjithë kosovarët.

Më tej, ai kishte theksuar se është dhënë propozim që në këtë ceremoni të jetë e ftuar një këngëtare amerikane për të performuar.