Më 18 prill në Maqedoninë e Veriut ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet kuvendare, të cilat do të mbahen më 8 maj.
Pas votimit në zgjedhjet presidenciale (24 maj) partitë kanë vazhduar sot me fushatën. Telegrafi Maqedoni iu sjell disa nga aktivitetet e koalicioneve më të mëdha, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet për deputetë.
Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, tha se OBRM-PDUKM-ja shihet se nuk ka qëllim që ta integrojë vendin në BE.
“Në këto zgjedhje nuk vendosim vetëm se kush do ta udhëheqë shtetin, por vendosim se edhe ku do të shkojë shteti jonë. A do të vazhdojë fuqishëm të shkelë në rrugën evropiane ose të gjithë bashkë sërish do të bëhemi peng i shtetit autoritar i udhëhequr nga pallati i bardhë kriminal. Dëgjoni vetëm deklaratat e Mickoskit dhe kandidates së tij Siljanovska dhe do të ju bëhet e qartë se nuk kanë kurrfarë qëllimi që ta çojnë shtetin në Bashkimin Evropian”, theksoi Dimitar Kovaçevski.
Dragan Kovaçki nga OBRM-PDUKM-ja, sot prej Koçanit ka premtuar një sërë projekte për këtë qytet.
“Për Koçanin parashikojmë ndërtimin e rrugës së shpejtë deri në Dellçevë edhe atë në dy mandate. Me tej, rikonstruim të hekurudhës Koçan-Veles, trajtim të ujërave të zeza atmosferike dhe fekale të Ponikvës dhe gjithsesi 17 milionë euro për qytetin tonë Koçan, për ndërtimin e bulevardit jugor, për ndërtimin e garazhit në kate dhe për ndërtimin e shtëpisë për të moshuarit. Të nderuar qytetarë, para nesh janë zgjedhje historike. Më 8 maj ju ftoj të gjithëve të na bashkoheni dhe bashkë t’i sjellim ndryshimet, të sjellim fitore për Maqedoninë”, tha Dragan Kovaçki.
Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN në kuadër të fushatës parlamentare sot ka akuzuar BDI-në se po tenton të krijojë krizë politike, duke e zgjatur kohën e qeverisë teknike.
“Nga frika e disfatës që pa asnjë dyshim po e pret, BDI-ja, vetëm se e ka humbur busullën. Andaj, qëllimi i tyre i vetëm është të shkaktojnë krizë politike, për të shpëtuar të korruptuarit nga radhët e veta, duke u munduar që qeveria teknike të zgjasë më shumë se 100 ditë. Qëllimet e Ali Ahmetit ishin të qarta dhe VLEN e paralajmëroi opinionin që në momentin kur me kandidimin e Bujar Osmanit, BDI-ja, me paramendim e pamundësoi që Arben Taravari të hynte në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale”, tha Izet Mexhiti.
Nga Fronti Evropian, sot paralajmëruan se me ardhjen e tyre në pushtet, do të ketë marrëveshje për kornizën ekonomike, për zhvillimin e ekonomisë së vendit.
“Pas Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për Marrëdhënie të Mira Fqinjësore me Bullgarinë, ka ardhur koha për një marrëveshje të madhe, respektivisht marrëveshje të konsensusit ekonomik, Marrëveshja kornizë ekonomike. Kjo marrëveshje synon të sigurojë kornizë për mundësi të barabarta në një ekonomi të lirë të tregut funksional, me konkurrencë të ndershme dhe zhvillim të barabartë rajonal dhe infrastrukturë që krijon mundësi të barabarta dhe ekonomi për të gjithë pjesëmarrësit”, u shpreh Elmi Aziri nga Fronti Europian.