Nga: Monika Stafa
Ndryshimet mes qytetërimeve janë pasuri në mozaikun historiko-kulturor të popujve të botës. Ato nuk duhen lejuar të shërbejnë si llogore konfliktesh apo luftërash, qoftë dhe paragjykimesh të brishta që e prishin ekuilibrin shpirtëror të njerëzimit. Shpesh na ndodh kur takojmë njerëz të huaj të pyesim se nga është dhe ku jeton, kjo për të na shërbyer që të ndërtojmë menjëherë në mendje stereotipin e mundshëm. Por, a mundemi ne ta ndërtojmë atë gjithmonë në mënyrë të drejtë? A mundemi të jemi të saktë për të krijuar përfytyrimin e duhur?
Afganistani është një vend i largët nga ne. Po aq një botë njerëzore që pak na ka interesuar. Një vend që e kemi dëgjuar më së shumti në rubrikat e lajmeve nga bota. Gjithmonë në pjesën e dytë të buletinit të informacionit. Ose, ndoshta aspak fare nëse nuk ka pasur konflikt të ndezur. Por, në librin “Dosja Afganistan” të princit Al Saud, teksa e lexoja, fillova ta doja këtë vend. Me kaq shumë histori. Me kaq shumë larmi kulturash. Me kaq shumë energji dhe ngjyra. Mbi të gjitha njerëzit. Edhe pse me mbi 70 vite konflikte e ndërkonflikte, ata janë aty. Të sertë. Të fortë. Luftëdashës. Sfidues. Por, në fund të mirë.
Çdokush do të dinte më shumë për historinë e tyre. Unë e përpiva librin me një kuriozitet të çmendur. Dy vende nuk kanë reshtur së mbështeturi afganët në përpjekjet e tyre për liri dhe pavarësi. ShBA-ja dhe Arabia Saudite. Mbështetja e tyre për qëndresën e muxhahedinëve ndaj pushtimit sovjetik të Afganistanit, e cila filloi në fund të vitit 1979, ka qenë një operacion i përbashkët qëllimor mes tyre në bashkëpunim të pandërprerë me Pakistanin, Britaninë e Madhe, Francën dhe Egjiptin.
Më vonë, pas tërheqjes së sovjetikëve në 1989, kur për fat të keq fuqitë perëndimore u duk se e humbën interesimin për atë vend, ishin veçanërisht arabët ata që ndërmorën disa nisma në përpjekje për të ndaluar fraksionet muxhahedine të luftonin njëri-tjetrin. Ata ndihmuan shumë sidomos në formimin e një qeverie të qëndrueshme. Arabia Saudite i vazhdoi përpjekjet e saj edhe kur talebanët erdhën në pushtet në vitin 1996. Ata u përpoqën të bindnin atë regjim edhe për disa kohë që të dorëzonte Osama bin Laden. Por, pa rezultat. Dhe, kjo vinte nga dashamirësia e tyre.
Ngjarjet që buruan nga lufta në Afganistan ishin në shumë aspekte tepër të pazakonshme. Madje, kryesisht të këqija. Kjo ishte një arsye përse ShBA-ja e pushtoi Afganistanin në vitin 2003. Dhe, është po e njëjta arsye që e mban veten ende të lidhur me atë vend edhe sot, thuajse njëzet vite më vonë. Deri në fillim të vitit 2021, Afganistani nuk ka njohur një qeveri që mund të konsiderohet e qëndrueshme. Po si nisi ai konflikt?
Operacioni Afganistan u pasua në fillim të vitit 2003 nga pushtimi i Irakut i udhëhequr nga ShBA-ja. Ai u vlerësua nga qeveria amerikane si i lidhur me luftën ndaj terrorizmit dhe që kishte për qëllim zhdukjen e një tjetër burimi paqëndrueshmërie në Lindjen e Mesme. Ne e dimë se regjimi irakian i Sadam Huseinit ishte i rrezikshëm. Ai kishte pushtuar Iranin në vitin 1980 dhe Kuvajtin në 1990. Pushtimi i Irakut shkaktoi kaos dhe gjak.
Ende vazhdojnë sot. Prodhoi Isis, një tentativë delirante për të rikrijuar Kalifatin Islamik nga një grup njerëzish. Lufta kundër Isis-it solli luftë civile në Siri e cila filloi në vitin 2011. Në librin “Dosja Afganistan”, përshkruhet me hollësi se të gjitha këto trazira i çon përpara vetëm një motiv. I lemerishëm në fakt. I kthyer tërësisht në një mallkim për botën moderne. Është dalja në skenë e djemve me inteligjencë të ulët, shkollim minimal dhe një pavetëdije të plotë të cilët besojnë se luftën e tyre ata e shohin si një mision për të ndryshuar botën me anë të dhunës. Pinjollë të al-Kaedës, ata i besojnë sloganit “Ndalohet shkollimi perëndimor”.
Ky tip i të menduarit nihilist, i palidhur me asnjë çështje kombëtare që i udhëheq këto personazhe është shfaqur edhe më parë tek terroristët. Në Evropë dhe Japoni në vitet 1970. Por, në Lindjen e Mesme ai u shfaq vetëm kur mbaroi lufta kundër Bashkimit Sovjetik në Afganistan në 1989. Por, siç edhe shënjova më lart, historia e Afganistanit nuk fillon këtu.
Afganët nuk janë një popull i vetëm. Vendi përbëhet nga një përzierje racash dhe grupesh gjuhësore të ndryshme. Kjo e mbizotëron historinë e tyre. E ndërlikon tej mase politikën e sotme dhe është një nga problemet që ka të bëjë drejtpërdrejt me çdo të huaj që përfshihet në këtë vend. Grupet janë të ndarë dhe kjo është një arsye përse ai vend është vështirë ta komandosh e ta bësh bashkë.
Secili prej tyre përshkruhet si i egër, i pavarur, luftëdashës dhe të interesuar shumë për nderin e familjes – që ka të bëjë me sjelljen e grave dhe sjelljen e të tjerëve ndaj grave të tyre. Të prirë shumë për gjakmarrje që mund të zgjasë me breza të tërë, afganët janë padyshim ndër popujt më guximtarë të botës. Historia moderne e këtij vendi të ndërlikuar daton në fundin e shekullit XIX me ‘Amirin e Hekurt’. Ai ishte një monark afgan si të gjithë monarkët dhe presidentët e tjerë në vendin e tij që u lidh shumë me britanikët dhe që u mundua t’i japë vendit një pamje perëndimore. Por, që nuk do t’ia dilte deri në fund. Konfliktet për fron, hiletë e fqinjëve, mos shkollimi i plotë i popullsisë, grupet e ndara që jetojnë në vend ishin disa nga shkaqet që do të shoqëronin këta monarkë të mos ja dilnin me sukses për të qeverisur qetësisht një vend si Afganistani. Kjo situatë ulje-ngritje do të vazhdonte deri në vitin 1973.
Megjithatë, Amiri i Hekurt ishte ai që doli si sundimtar, në vitin 1880, në fund të luftës së dytë afgane. Ishte kjo dhe përpjekja e dytë e dështuar e Britanisë për të vënë nën kontroll qeverinë e vendit. Ai nuk ishte klient i Britanisë, por liria e tij e veprimit ishte deri-diku e kufizuar nga traktatet me Britaninë. Amiri ishte i ashpër, por i drejtë. Gjithsesi, ai arriti që në vend të vendosë një rend ligjor të rreptë dhe ta modernizojë atë. Krijoi një ushtri të përhershme dhe një administratë moderne. Një rrobaqepës anglez modeloi uniforma perëndimore për zyrtarët e tij dhe familjen mbretërore. Kështu që meshkujt dhe femrat përvetësuan veshje evropiane.
Këto politika modernizuese që nisën me Amirin e Hekurt, vazhduan deri në vitin 1972, ndonëse me më tepër kujdes se paraardhësit e tij. Por, ndonjëherë fati i historisë është ai që përcakton dhe fatin e një kombi. Kur Britania u tërhoq nga India në vitin 1947, Afganistani ngadalë u vu nën ndikimin e fqinjit të tij verior, Bashkimit Sovjetik. Rusët e zhvilluan këtë marrëdhënie me shumë zgjuarsi dhe durim, duke i dhuruar dhjetëra projekte ndihmash afganëve, herë pas here. Asnjë fuqi nuk punoi për ta kundërshtuar këtë. Ndihma e jashtme kryesisht nga Moska, por dhe burime të tjera arriti të përbënte 40 për qind të buxhetit të qeverisë.
Megjithatë, sundimtari afgan nuk kishte gjak kukulle. Në libër rrëfehet një gjest kalorësiak i tij, kur gjatë një vizite në Moskë në vitin 1977 ai e humbi durimin dhe i ra me grusht tavolinës ku ulej ballë për ballë liderëve sovjetikë. Me klithjen krenare të një vendi në hall, u tha sovjetikëve se afganët duhet t’i merrnin vendimet vetëm në Kabul. Por, duket se nuk kuptoi se kishte trazuar një ari të rrezikshëm.
E pagoi shtrenjtë këtë shpërthim. Në prill të 1978, rusët projektuan një grusht shteti pro-sovjetik në Kabul. Një grup komunistësh erdhën në pushtet. Duke qenë ateistë, mendoni çfarë kaosi do të shkaktonin ata në një popull me tradita shekullore në islam, në ekonomi, por dhe politikë. Vendi me flamurin trengjyrësh që prej asaj kohe është projektuar mes vendeve që prodhon konflikte. Atë nuk mund ta vizitosh lirisht. Por, kush nuk e do qetësinë e Afganistanit?