Presidenti Aleksandar Vuçiq ka thirrur një seancë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në ora 6 pasdite të enjten.
Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, seanca është thirrur për të trajtuar çështjen e një afere të mundshme spiunazhi, ku të përfshirë kanë qenë inteligjenca ruse dhe një zyrtar serb.
Po sipas mediave serbe, vërtetësia e videos, e cila tregon Georgi Kleban duke i dhënë para një agjenti të dyshuar serb, u konfirmua nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë.
Bëhet e ditur se pas seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, do të dihen më shumë detaje rreth çështjes që përfshin shërbimet serbe të sigurisë.
Rreth këtij rasti kishte reaguar edhe kryeministrja Ana Brnabiq tha se nëse rezulton se ishte spiunazh në këtë rast, do të ishte një problem serioz, duke kërkuar përgjigje serioze.
Ndryshe, siç është raportuar ditë më parë në rrjetin social YouTube është postuar një video në të cilën shihet një anëtar i Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake Ruse (GRU) duke i dhënë ryshfet një agjenti serb – një zyrtari të rangut të lartë.
Në video, siç është thënë tutje, shihet takimi i dy burrave në një parking, prej ku ata shkojnë drejt makinës së njërit prej tyre.
I dyshuari, si oficer rus i zbulimit, ia jep një qese plastike agjentit serb, i cili e lë qesen në makinën e parkuar.
Siç shkruante Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe, të dy burrat pastaj shkojnë në një kafene aty pranë, dhe më pastaj ndahen.
Kur burri, i identifikuar në përshkrimin e videos si agjent serb, pas takimit shkon në makinën e tij dhe hap qesen plastike që e mori, aty gjen një zarf me para në të. /Telegrafi/