Site icon Telegrafi

Afera Facebook

Prej javësh zien sërish rrjeti më i madh social në botë. Një seri artikujsh në “Wall Street Journal” tregon për problemet e shumta në kompaninë Facebook.

Rregullat strikte të publikimit për rreth 5,8 milionë posedues të të ashtuquajturave llogari VIP, relativizohen. Futbollisti Neymar p.sh. mund të publikonte fotografi nudo të një gruaje, e cila e kishte akuzuar atë për përdhunim. Moderatorët e Facebook-ut nuk u lejuan ta shuajnë këtë postim; vetëm pas ndërhyrjes nga një instancë e lartë ata e ndërmorën këtë hap. Ndërkohë, rreth 56 milionë përdorues e panë këtë postim.

Më shumë indinjatë ka shkaktuar një artikulli në të cilin bëhet fjalë për ndikimin e dëmshëm të Instagramit ndaj shëndetit psikik të të rinjve. Në një studim të brendshëm, Facebook arrin në konkluzionin se tek shumë adoleshentë – kryesisht vajzat – Instagrami rrit pakënaqësinë ndaj trupit të tyre. E, kjo shkakton anomali në ushqyerje dhe depresione. Këto njohuri menaxhmenti i Facebook-ut me vetëdije i ka mbajtur të mbyllura.

Facebook-u veproi ashtu si edhe në rastet e akuzave të tjera: sipërmarrja u mundua ta relativizojë këtë, por nga ana tjetër i pezulloi planet për një version Instagrami për fëmijët nga dhjetë deri në dymbëdhjetë vjeç.

Që nga fundjava është e qartë se kush qëndron pas këtyre zbulimeve: Frances Haugen, një studiuese e të dhënave, e cila ka punuar për Facebook-un nga viti 2019 deri më 2021. Ajo doli në televizion në ShBA dhe ngriti akuza të forta kundër ish-punëdhënësit të saj. Thelbi i deklaratës së saj është: Facebook-u është në ngërçin e konfliktit të interesit “mes asaj që është e mirë për opinionin dhe asaj çfarë është e mirë për Facebook-un”. Koncerni “vazhdimisht ka vendosur për të optimalizuar interesat e veta”. Këto akuza ajo i provon me dekumente të brendshme. Përfundimi i saj është: “Ky version i Facebook-ut e shkatërron shoqërinë tonë dhe shkakton dhunë në botë.”

Haugen sot do të deponojë përpara Kongresit amerikan. Ajo ka kërkuar zyrtarisht mbrojtje si sinjalizuese, për t’u mbrojtur nga një padi e ish-punëdhënësit të saj.

Se sa i guximshëm është hapi i saj e tregojnë paralelet me sinjalizuesit tjerë (Whistleblower): Edward Snowden i cili nxori në pah përmasat e praktikave devijuese të mbikëqyrjes globale nga shërbimet sekrete – duke shkaktuar me këtë aferën NSA – jeton prej vitesh në azil në Rusi. Një familje që e fshehu atë ndaj autoriteteve të ShBA-së më 2013, përpara pak ditësh fitoi të drejtën e azilit në Kanada.

Po ashtu, përpara pak ditësh u bë e njohur se qeveria e ShBA-së, nën presidentin Donald Trumpit, kishte menduar të vriste themeluesin e platformës Wikileaks, Julian Assange. Assange prej më shumë se dy vjetësh jeton në arrest në Britaninë e Madhe dhe rrezikon të ekstradohet në ShBA.

Jo vetëm historia e këtyre njerëzve na tregon se sinjalizuesit kurrsesi nuk janë tradhtarë egomanë apo përdhosës të strehës së tyre. Pa ata nuk do të kishin qenë të mundura as zbulimet e Pandora Papers-it. Me shumë gjasë akuzat e Haugensit kanë një bazë faktesh të qëndrueshme, ndaj ajo duhet patjetër të mbrohet. Kjo është edhe në interesin e kujtdo prej nesh. /DW/

 

 

 

Exit mobile version